Lajme

Sveçla: Epoka kur Kosova nënshtrohet ka përfunduar, këtë mesazh e ka kuptuar Beogradi dhe Brukseli

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi të shtunën se “epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Boegradi dhe Brukseli”.

Në një postim në Facebook, ka shkruar se “Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion”.

Ka shtuar se “sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht”.

“Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses”.

“Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator, dhe u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim”, ka shkruar Sveçla në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, Kosova ka treguar se ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, ndërsa ka thënë se Serbia përgjatë 13 ditëve ka përdorur të gjitha mjetet, “përfshirë dhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokal, shantazhit e sulmeve terroriste në institucionet publike”.

“Por, as kjo ndërmarrje kriminale e sponzorizuar nga qeveria e Serbisë nuk arriti të zbrapsë Kosovën dhe njësitë tona speciale nga zbatimi i vendimit legjitim”.

“Megjithatë, Kosova bëri dhe një hap para. Mbi parimin e reciprocitetit vendosi që të bashkëpunojë me aleatët tanë dhe pas tërheqjes së barrikadave, të largojë Njësitë Speciale por në bashkëpunim me KFOR-in të sigurojë Policinë Kufitare dhe mbrojë dhe më tutje kufirin me Serbinë”./Insajderi.com