Bota Lajme

Sulm me armë ndaj ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kongo, vdes ambasadori italian

Një ngjarje e rëndë ka tronditur diplomacinë botërore këtë të hënë.

Ambasadori italian, Luca Attanasio, është vrarë ditën e sotme gjatë një sulmi në Republikën Demokratike të Kongos. Bashkë me Attanasion ka ndërruar jetë dhe një polic i cili ishte në makinë me diplomatin.

Ambasadori vdiq si pasojë e plagëve të marra ndërsa njerëzit e armatosur sulmuan autokolonën.

Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se ambasadori Attanasio po udhëtonte me karvanin e ndihmave ushqimore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në qytetin Kanyamahoro, kur është sulmuar nga disa persona.

Dyshohet se personat kanë patur për qëllim t’i marrin peng.

Gjatë konfliktit me armë dhe ndërhyrjes së Rojeve të Parkut, ka mbetur i vrarë një polic dhe është plagosur ambasadori italian, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spital.

“Ambasadori u qëllua gjatë sulmit ndaj autokolonës së Kombeve të Bashkuara me të cilën ai po udhëtonte, dhe vdiq si pasojë e plagëve të marra”, tha për AFP një diplomat i rangut të lartë.