Lajme

SPAK po vjen, kush po trembet?!

Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar

Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, drejt ngritjes. Loja me zvarritjen në ngritjen e institucioneve të reja qe trazoi SHBA-në dhe gjetja e një formule që po nxit ngritjen sa më të shpejtë të SPAK. Drejtësia e Re që kaloi në duart e “ustallarëve të vjetër” të politikës në pushtet. Kush duhet të trembet nga Struktura Antikorrupsion. Flasin ekspertët Arjan Dyrmishi dhe Ledio Braho.

Nga Sebi Alla

Pas shumë zvarritjesh, shpesh pa justifikim dhe labirinteve që ka sistemi i Drejtësisë së Re, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, e njohur ndryshe si SPAK, është drejt ngritjes. Me formulën e shpikur 8+2 u shkel një procedurë, por qëllimi është më i madh se zbërthimi i pastër i neneve dhe pikave të cilët mundësojnë ngritjen e prokurorisë speciale. Ka për synim që të hetojë dhe dërgojë në gjykatë për dënim politikanët e korruptuar dhe elitën e krimit të organizuar. Misioni është i qartë, realizimi i saj ende në pikëpyetje dhe kjo jo pa shkak, ku politika që drejton edhe me frymë nga larg dhe lart, ndikon në strukturat e reja… Kjo u pa qartë ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e kishte marrë disi me nge ngritjen e strukturës së SPAK dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm. Diçka ndodhi më datë 22 tetor të këtij viti, ku ndihmës-sekretari i shtetit amerikan, Jorgan K. Andrews pati takim me kreun e KLP-së Gent Ibrahimi. “Zvarritja e ngritjes së SPAK është një çështje që shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës”-ishte kjo fryma e përçuar nga i dërguari i SHBA-së. Gjatë një takimi Andrews u shpreh se “SHBA është e ndërgjegjshme për presionin me të cilin po përballet KLP”, ndërsa theksoi se “Amerika është e vendosur të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”. Një mesazh i fortë ky që erdhi nga përtej Atlantikut, vetëm një ditë pasi dështoi mbledhja e KLP-së, teksa do të diskutohej për ngritjen e Prokurorisë Speciale me tetë anëtarë dhe procedurat për përzgjedhjen e tre kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. U desh ky sinjal që KLP të “lexonte” me sy tjetër frymën e ligjit. Por ndërsa SPAK po formësohet, politika në pushtet është e “patrembur”, të paktën publikisht mundohet ta shfaqë, pasi në subkoshiencë u rëndon e shkuara dhe e tashmja e tyre. Frika që pushteti do arrijë apo ka arritur të kapë drejtësinë e re, qarkullon dendur. Nuk është vetëm psikozë kolektive për të dyshuar për gjithçka, por fakte që nuk munden të kamuflohet as me daljet publike të disa syresh ministrave, ish-ministrave apo deputetëve që emri u figuron në dosje hetimore, por ata nuk preken kurrë.

Pushteti i akuzuar që “bërtet” për drejtësi

Në gjashtë vite qeverisje nga kryeministri Edi Rama, vendi është nxirë në çdo raport ndërkombëtar për; korrupsion në nivele shqetësuese; trafikun e drogës; pandëshkueshmërinë; lidhjet e politikës me elementë të fuqishëm të botës së krimit; dhe oligarkinë. Me krijimin e SPAK, të gjitha këto mëkate mbi supe do sillnin të paktën një stepje në vijimin e aferave apo kontratave shumëmilionëshe në PPP-të e famshme, por kjo nuk po duket, madje po intensifikohet “KÇK”-ja qeverisëse, Kap Çfarë të Kapësh… Vetë kryeministri është pari që flet se “drejtësia e re do pastrojë llumin”, madje ka shkuar deri në atë pikë sa të “kërcënojë” me të opozitën, se është pikërisht ajo që sipas tij i druhet. “Ju keni frikë nga SPAK”-përsërit kryeministri Edi Rama, duke iu drejtuar opozitarëve të vërtetë,( jo ata të vetëshpallurit që janë në Parlament).

Në leximin e drejtë, kjo nuk është vetëm një metodë e propagandës për të treguar se ai dhe të tijtë janë qelibar para ligjit dhe e keqja e madhe e vendit qenka opozita, por shumëkush e mendon me të drejtë se kanë një garanci të fortë që nuk do të preken nga e reja drejtësi, ose do bëhen vetëm disa “kurbane” nga niveli i mesëm drejtues i qeverisjes. Gjithashtu, mbetet fakt që prokurorë apo gjyqtarë që më shumë se ligjin njohin lidhjet me pushtetin, kanë mundur të kapërcejnë të paktën një shkallë të vettingut në mënyrë mjaft të dyshimtë, por gjithashtu është tregues që shkalla e dytë apo KPA ka vendosur një filtër që të “përkëdhelurit e pushtetit” nuk po e çajnë lehtë.

Ndërsa kryeministri, ministra, ish-ministra dhe deputetë të mazhorancës pastrojnë gojën në daljet televizive se drejtësia e re do “sjellë begatinë”, edhe opozita po mban tjetër qëndrim dhe ndoshta ky mund të jetë sinjal i mirë. Gjithnjë e më shumë liderët opozitarë, veçanërisht të Partisë Demokratike po artikulojnë më shpesh duke nxitur ngritjen e strukturës së SPAK dhe theksuar se duhet të jetë pikërisht ajo që të hetojë krimin elektoral dhe korrupsionin në nivele drejtuese. Kjo më së paku ofron një lloj besimi që sado që pushteti dukshëm ka kapur disa struktura të reja, ndoshta për disa prej tyre mund të mos ketë forcë ti kontrollojë.

Gjithashtu pompimi i madh që po bëhet nga disa juristë, analistë, apo diplomatë të huaj njësisë së posaçme antikorrupsion, do e vendosë para përgjegjësisë për të mos zhgënjyer, mbi të gjitha opinionin publik. Qytetarët nuk do të “lumturohen” nëse shumë politikanë do shohin dritën e diellit vetëm në kohën e ajrimit në burg, por shpresojnë se nëse do ketë ndëshkueshmëri, frika do sjellë një qeverisje më të mirë.

SPAK e nis me një “mal me dosje”

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, me atë numër të kufizuar prokurorësh dhe me një BKH ende në embrion, do e kenë të vështirë që të përballojnë fluksin e madh të dosjeve. Tashmë po bëhet invetari i të gjithë dosjeve që gjenden në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Një pjesë do i kalojë prokurorive të rretheve, ndërsa të tjera do ndërrojnë destinacion, duke i dërguar në raftet e reja të SPAK-ut. Të paktën 280 çështje mendohet se do i drejtohen Strukturës së Posaçme, ku padyshim që njëra është dosja 339 e dyshuar për krim elektoral, ndërsa 184 e batërdisë së Dibrës po “fle” e qetë në Peshkopi. Edhe për atë ka një shpresë që mund të rikthehet në duart e SPAK, gjithnjë nëse ata dy prokurorë të Dibrës do tregohen moralisht dhe ligjërisht në lartësinë e duhur duke e rikthyer për hetim në Tiranë. Më larg realitetit janë një kategori tjetër transkriptuesish që mendojnë se SHBA apo vende të rëndësishme të BE-së të cilët u investuan për ngritjen e Drejtësisë së Re do të kontrollojnë drejtpërdrejt SPAK dhe BKH. Shkohet deri aty sa të besohet se FBI do zbarkojë në vendin tonë, që Amerika do e ketë nën “protektorat ligjor” këtë vend të vogël që bart korrupsionin e madh, apo se mikroçipe dhe “dronë” do vihen në punë për të zbuluar korrupsionin qeveritar dhe çmontuar lidhjet e tyre me krimin. Këto pritshmëri nuk duhet të ekzistojnë, sikurse është ende shpejt për të dyshuar në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion e cila për të dhënë prova do i duhen disa muaj. Shpresa se do jenë të pavarur politikisht, të aftë profesionalisht dhe mjaftueshëm me integritet është ende e madhe, por edhe zhgënjimi nëse nuk do funksionojë do jetë po aq i madh.

Arjan Dyrmishi, drejtor i CSDG: Ngritja e SPAK nuk do të ketë efekte të menjëhershme

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është thuajse drejt formimit me variantin 8+2, ndërkohë ka edhe një debat në lidhje me strukturimin e saj nëse binte ose jo ndesh me Kushtetutën.Përse kjo vonesë në ngritjen e strukturës së SPAK?
Për emërimin e 15 kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, është i detyrueshëm konfirmimi në detyrë i tyre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Ndërkohë që vetëm 11 prej tyre i janë nënshtruar këtij procesi dhe 8 prej tyre janë konfirmuar në detyrë në të dyja shkallët. Në lidhje me përbërjen e Prokurorisë së Posaçme ligji parashikon se duhet të jenë të paktën 10 prokurorë por për shkak të konfirmimit të një numri më të vogël prokurorësh nga procesi i vettingut, diskutimi për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme ka qenë një çështje e ngritur në mënyrë të vazhdueshme në diskutimet brenda KLP-së. Në seancën e fundit plenare të zhvilluar në datën 25 tetor 2019, KLP vendosi të fillojë procedurat e emërimit të 8 prokurorëve të posaçëm të cilët janë konfirmuar në të dyja shkallët. Megjithatë KLP ka theksuar se emërimi nuk do të sjellë fillimin e funksionimit të SPAK pasi organigrama dhe aspekte rregullative për fillimin e punës së institucionit do të përcaktohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, i cili do të zgjidhet nga radhët e prokurorëve të posaçëm pas konstituimit të Mbledhjes së Prokurorëve të Posaçëm.

A mendoni se pas ngritjes dhe funksionimit SPAK do ketë efektshmërinë e duhur? Një nga problemet që sot diskutohet është se prokurorët e SPAK që në fillesat e tyre të punës do të përballen me një numër të madh dosjesh që do të kalojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. A konsiderohet kjo si pengesë duke marrë në konsideratë edhe numrin e vogël (për momentin), të prokurorëve që janë pjesë e këtij institucioni të ri?

Sidoqoftë, emërimi i prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme nuk do të shpinte menjëherë në fillimin e punës me hetimet pasi SPAK dhe Gjykatat e Posaçme janë parashikuar të ngrihen në mënyrë të menjëhershme. Kjo për shkak se çështjet që janë aktualisht në gjykim nga Gjykatat për Krimet e Rënda gjykatat dhe që ndiqen penalisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda do të duhet ti kalojnë në kompetencë gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Prokurorisë së Posaçme në mënyrë të njëkohshme. Për emërimin e gjyqtarëve aktualë të Gjykatave të Krimeve të Rënda legjislacioni ka parashikuar fillimisht emërimin e përkohshëm të tyre në Gjykatat e Posaçme, në rastet kur ndaj tyre ka filluar procesi i vettingutdhe kur gjyqtarët kanë dorëzuar te KLGJ deklaratë për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake dhe të familjarëve të e afërt. Nga 14 gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kanë dhënë pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, por nga 11 gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, vetëm 8 prej tyre e kanë dhënë pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive dhe të telekomunikimeve. Duhet thënë se ashtu si për Prokurorinë e Posaçme edhe për Gjykatat e Posaçme është parashikuar që ato të ngrihen me një numër minimal prej 16 gjyqtarë shkalla e parë, dhe 11 gjyqtarë shkalla e apelit.

Opinioni publik, por edhe organizmat ndërkombëtarë kanë pritshmëri se kjo strukturë e re do ketë efektin e duhur në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta drejtuese dhe të krimit të organizuar. Gjithashtu, ka një interesim specifik për SPAK dhe BKH nga SHBA dhe BE, a është kjo favor që kjo strukturë të punojë pa trysnitë e brendshme politike apo të krimit të organizuar?

Thelbi i reformës në drejtësi është pikërisht çlirimi i hetimit dhe gjykimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit prej ndikimeve qoftë politike qoftë prej subjekteve në hetim dhe gjykim. Për shkak se korrupsioni në drejtësi dhe ndërhyrja politike ishin kthyer në pjesë të sistemit ndarja prej tij po rezulton e vështire dhe kjo përbën edhe thelbin e shkakut të vonesave. Kështu që ngritja e institucioneve të reja do të sjellë pa dyshim një ndryshim cilësor si në mënyrën e hetimit dhe gjykimit të të krimit të organizuar dhe korrupsionit ashtu edhe në shkallën e ndikimit politik.

Ledio Braho: SPAK-u me 8 prokurorë është antikushtetues, suksesi varet nga dosjet e reja

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është thuajse drejt formimit me variantin 8+2, ndërkohë ka edhe një debat në lidhje me strukturimin e saj nëse binte ose jo ndesh me Kushtetutën.Përse kjo vonesë në ngritjen e strukturës së SPAK?

Krijimi i SPAK sipas variantit me 8 prokurorë, në kundërshtim me nenin 148/dh të Kushtetutës që kërkon domosdoshmërisht së paku 10 prokurorë, është antikushtetues, gjithsesi ajo se çka rezulton nga vendimmarrja e fundit e KLP-së, është se brenda muajit nëntor 2019 do të përmbyllet procedura për ngritjen në detyrë për 8 prokurorët kandidatë për SPAK dhe emërimi i tyre pranë kësaj prokurorie. Në këtë mënyrë, SPAK nuk mund të fitojë personalitet juridik për aq kohë sa nuk plotësohet me së paku 10 prokurorë që të jenë konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë sa i përket verifikimit të pasurisë dhe figurës. Për rrjedhojë, antikushtetuese do të jetë edhe një vendimmarrje e KLP në lidhje me caktimin e përhershëm të drejtuesit të kësaj prokurorie nga 8 prokurorët e emëruar fillimisht, pasi nuk mund të caktohet drejtuesi pa u krijuar SPAK dhe normalisht që një vendimmarrje e tillë lë jashtë gare të paktën 2 prokurorët e tjerë që do të emërohen në një moment të dytë.

Po ashtu, vihet re se këta 8 prokurorë të parë që do të emërohen pranë SPAK brenda nëntorit të këtij viti, nuk do të jenë më prokurorë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pranë kësaj të fundit nuk do të jenë më as prokurorët që nuk kanë kandiduar për SPAK pasi do të kthehen në prokuroritë e rretheve që janë të emëruar ose ata që janë të emëruar pranë kësaj prokurorie do të emërohen në prokurori të tjera. Si përfundim, në fund të muajit nëntor, nëse do respektohet Kushtetuta sa i përket krijimit të SPAK, nuk do të ketë as SPAK e as Prokurori të Krimeve të Rënda, një vakum i paprecedentë për një sistem drejtësie. Në lidhje me vonesën e krijimit të SPAK, është e qartë se ajo ka ardhur si pasojë e uljes së ritmit nga institucionet e vettingut pasi që nga data 21 shkurt që është mbyllur lista e 27 kandidatëve për SPAK kanë kaluar plot 8 muaj dhe ende ka kandidatë që nuk kanë nisur seancat për shkallën e parë të vettingut edhe pse janë plot 4 trupa gjyqësore në këtë shkallë. Për më tepër, një pjesë e kandidatëve, duke qenë se vijnë nga radhët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (një prej të cilave dhe drejtuesja aktuale e Prokurorisë Tiranë) janë shortuar për vetting që nga shtatori i vitit 2018 dhe ende pas më shumë se 1 viti nuk kanë zhvilluar asnjë seancë.

A mendoni se pas ngritjes dhe funksionimit SPAK do ketë efektshmërinë e duhur? Një nga problemet që sot diskutohet është se prokurorët e SPAK që në fillesat e tyre të punës do të përballen me një numër të madh dosjesh që do të kalojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. A konsiderohet kjo si pengesë duke marrë në konsideratë edhe numrin e vogël (për momentin), të prokurorëve që janë pjesë e këtij institucioni të ri?

Në lidhje me efektshmërinë e SPAK do duhet të presim edhe trajnimin e prokurorëve të emëruar në të, krijimin e BKH dhe rekrutimin oficerëve që do të jenë pjesë e saj, trajnimin e tyre si dhe miratimin e rregulloreve të funksionimit të këtyre organeve që me sa kemi parë në rastin e organeve të reja të drejtësisë kanë marrë deri në 1 vit kohë. Efektshmëria e SPAK nuk do të duket në dosjet që do të transferohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi nuk pritet që në ato dosje që kanë kaluar dorë më dorë të ketë veprime të tilla hetimore që do të mund të japin efekte pranë SPAK, këtu duke llogaritur edhe afatet që do të kenë kaluar nga kryerja e veprave penale.

SPAK do ta tregojë suksesin vetëm në saje të procedimeve të reja që do të regjistrojë dhe që të gjitha veprimet hetimore do të kryen nga prokurorët e SPAK dhe oficerët e BKH dhe për më tepër që kompetencat lëndore të SPAK do të jenë të ndryshme nga Prokuroria aktuale e Krimeve të Rënda duke i dhënë më tepër prioritet veprave penale të kryera nga grupet e strukturuara kriminale apo akuzat ndaj funksionarëve të lartë shtetërorë. Numri i ulët e prokurorëve (nëse krijimi do të bëhet me numrin minimal prej 10 prokurorësh) patjetër që do të jetë pengesë për aq kohë sa veprat penale që do të hetohen nga kjo prokurori janë të një natyre komplekse si sa i përket subjekteve nën hetim, por po ashtu edhe veprave në vetvete.

Opinioni publik, por edhe organizmat ndërkombëtarë kanë pritshmëri se kjo strukturë e re do ketë efektin e duhur në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta drejtuese dhe të krimit të organizuar. Gjithashtu, ka një interesim specifik për SPAK dhe BKH nga SHBA dhe BE, a është kjo favor që kjo strukturë të punojë pa trysnitë e brendshme politike apo të krimit të organizuar?

Është e vërtetë që pritshmëritë janë të larta si sa i përket opinionit publik ashtu dhe partnerëve ndërkombëtarë, por ama të njëjtat pritshmëri ishin dhe për reformën në drejtësi në tërësi dhe vettingun ne veçanti. Rezultati i deritanishëm, pas më shumë se 2 vitesh zbatim të reformës, ka treguar se Shqipëria është vend unikal që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka Inspektor të Lartë të Drejtësisë, nuk ka Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur në përputhje me Kushtetutën e nuk do të ketë as prokurori në përputhje me Kushtetutën (nëse do të vijohet me emërimin e 8 prokurorëve pa krijuar SPAK) që do të hetojë veprat penale të përcaktuara në nenin 75/a të K.Pr.Penale që janë dhe veprat më të rënda.

Është e paqartë se si një shtet i tillë të mund të ofrojë garanci në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës te opinioni publik apo te partnerët ndërkombëtarë, por siç duket deri tani, demagogjia ka qenë e pamjaftueshme për rritjen e pritshmërive, të paktën për opinionin publik. E vetmja “rritje” që ka ndodhur pas 3 vitesh ndryshimesh kushtetuese ka qenë ajo e zvarritjes së hetimeve dhe proceseve gjyqësore si dhe pamundësia për akses në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Në lidhje me situatën postkrijim të SPAK dhe BKH, është ende herët për të bërë parashikime, por nëse niveli profesional i të emëruarve në këto organe do të jetë i tillë si ai në Gjykatën Kushtetuese ku kandidatët janë të atij niveli që nuk arritën dot të kualifikoheshin për t’u bërë gjyqtarë ose prokurorë në Shkollën e Magjistraturës, atëherë mbështetja nga SHBA dhe BE nuk do të jetë kusht i mjaftueshëm për arritjen e suksesit në hetimin e veprave penale që kanë në kompetencë. Një situatë e ngjashme parashikohet në të gjithë sistemin e drejtësisë pasi vettingu duke u marrë kryesisht me kriterin e pasurisë (interpretimi i pasaktë kushtetues që i është bërë pikës 4 të nenit D të aneksit të Kushtetutës në lidhje me kriterin e pasurisë) ka lënë pa trajtuar vlerësimin e aftësive profesionale, që në një sistem drejtësie është edhe më i rëndësishëm se kriteret e tjera.

/Gazeta Mapo


Etiketa: , , , , ,