Sport

Sllovenia publikon listën për ndeshjen me Kosovën, Kek kërkon fitore në Prishtinë

Përzgjedhësi i Sllovenisë, Matjazh Kek, të hënën ka publikuar listën e futbollistëve në të cilët llogarit për grumbullimin e muajit të ardhshëm. Sllovenia do t’i zhvillojë tri ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të Ligës së Kombeve.

Kek në listën e tij ka përfshirë 24 futbollistë, por ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave listës mund t’i shtohen edhe disa emra të rinj për ndeshjet me Kosovën dhe Moldavinë, që Sllovenia i luan në kuadër të Ligës së Kombeve.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Në të dy këto përballje, Kek kërkon fitore. Ai insiston për sukses edhe në miqësoren ndaj San Marinos, të cilën Sllovenia e luan para ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Me Kosovën dhe Moldavinë, Sllovenia luan në udhëtim, derisa miqësoren me San Marinon e luan në Lubjanë më 7 tetor. Katër ditë pas ndeshjes me San Marinon, Sllovenia do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinës kundër Kosovës, përpara së të përballet me Moldavinë në Chisniau më 14 tetor.

Sllovenia së bashku me Kosovën, Moldavinë dhe Greqinë e përbëjnë grupin e tretë të ligës C të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Pas dy ndeshjeve të zhvilluara në fillim të këtij muaji, Sllovenia ka arkëtuar katër pikë sa i ka edhe Greqia në pozitën e parë, derisa Kosova e Moldavia me nga një pikë renditen në dy pozitat e fundit të grupit.

Sllovenia dy ndeshjet e para i luajti në shtëpi duke barazuar me Greqinë (0:0) dhe duke triumfuar ndaj Moldavisë (1:0) derisa Kosova barazoi si mysafire e Moldavisë (1:1) në ndeshjen e luajtur në Itali dhe pësoi humbje në shtëpi nga grekët (2:1).

Selektori Kek ka thënë se është hera e parë që ekipi i tij brenda një grumbullimi i luan tri ndeshje dhe për këtë arsye do të jetë shumë vështirë. Ai në listë nuk ka përfshirë futbollistët që bëjnë karrierë në SHBA dhe Azi për shkak të rregullave të karantinimit si pasojë e koronavirusit. Për herë të parë Kek ka ftuar futbollistët Sandi Lovriq (Lugano) dhe Mario Jurçeviq (Osijek).

“Jemi në një pozitë ku do t’i luajmë tri ndeshje brenda një muaji dhe kjo më detyron të shtoj sa më shumë emra në listë për këtë orar të ngjeshur. Në Ligën e Kombeve kemi lojtarë të suspenduar për shkak të kartonëve, kështu që gjasat janë të mëdha që emra të rinj të paraqiten në listë gjashtë kësaj jave. Kjo do të bëhet për shkak se dy ndeshjet e Ligës së Kombeve i luajmë në udhëtim, pra në Prishtinë dhe Chisniau”, është shprehur Kek. “Pritjet janë të qarta, dua ta fitoj secilën ndeshje, duke filluar nga San Marino për të vazhduar me Kosovën dhe në fund Moldavinë. Është shumë e rëndësishme për ne dhe besoj në paraqitje të mira pasi rezultatet pozitive të këtyre ndeshjeve janë dëshmi se po zhvillohemi. Nëse triumfojmë në të tria ndeshjet, atëherë mund të them se kemi bërë një hap përpara dhe për këtë arsye do të kërkoj nga futbollistët që në duelet e Ligës së Kombeve të jenë më të vendosur për fitore dhe më agresivë”.

Kek ka thënë se miqësorja me San Marinon do të jetë një përgatitje e mirë për ekipin e tij para duelit me Kosovën dhe atë me Moldavinë. Ai ka shtuar se pas ndeshjes me Kosovën, Sllovenia menjëherë do të marrë rrugën drejt Moldavisë.

“Orarin e kemi të ngarkuar, por më mirë është të zhvillojmë një ndeshje miqësore para dy ndeshjeve të rëndësishme sesa të stërvitemi. Dueli me San Marinon do të jetë i mirëseardhur para atyre me Kosovën e Moldavinë”, është shprehur Kek.

Ekipi i Sllovenisë

Portierë: Jan Oblak (Atl. Madrid), Vid Belec (Sampdoria), Matjazh Rozman (Celje)

Mbrojtës: Miha Mevlja (Sochi), Petar Stojanoviq (Dinamo Z.), Nejc Skubiq (Konyaspor), Jure Balkovec (Karagumruk), Miha Blazhiq (Ferencvaros), Nemanja Mitroviq (Maribor), Jon Gorenc Stankoviq (Sturm), Mario Jurçeviq (Osijek)

Mesfushorë: Jasmin Kurtiq (Parma), Miha Zajc (Genoa), Jaka Bijol (Hannover), Amedej Vetrih (Rizespor), Rajko Rep (Hartberg), Nino Kouter (Mura), Sandi Lovriq (Lugano), Dejan Petroviq (Rapid)

Sulmues: Benjamin Verbiq (Dynamo K.), Andraz Sporar (Sporting), Damjan Bohar (Osijek), Haris Vuçkiq (R. Zaragoza), Blazh Kramer (Zuerich)