Maqedoni

S’ka akoma konkurs për Avokatin e Popullit, Stoillkovski: Avokati, me propozim të opozitës

Kuvendi nuk ka filluar akoma procedurat e nevo

Kuvendi nuk ka filluar akoma procedurat e nevojshme për zgjedhjen e Avokatit të popullit ndërkohë që rrezikohet shkelja e afateve ligjore. Ixhet Memetit i skadon mandati në dhjetor, kurse ligji, tre muaj përpara, parashikon shpalljen e konkursit për avokat të ri nga komisioni kompetent parlamentar. Kjo temë mes partive parlamentare as nuk është diskutuar.

Jo, as nuk ka pasur bisedime, as nuk jemi ftuar për konsultime. Sa i takon qëndrimit tonë, kërkojmë që zgjedhje e avokatit të popullit të jetë me propozim të opozitës, të VMRO-DPMNE-së me arsyetimin e vetem se pushteti dhe instrumentet për drejtësi dhe shtet të së drejtës janë të paaftë nën ombrellën e Zoran Zaevit – deklaroi Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ajo që është më e rëndësishme është se ky post i takon opozitës, jo vetëm si post por për faktin që do të jetë edhe një mekanizëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve ku jo rrallë herë ata të drejta shkelen edhe nga vetë pushteti. Pushteti BDI-LSDM i ka pothuajse të gjitha institucionet nën kontroll – tha Skender Rexhepi, Alternativa & Aleanca për Shqiptarët.

Shumica parlamentare nuk komenton. Ndërkohë, agjenda e Kuvendit vazhdon të jetë shumë e varfër edhe pse e presin edhe procedura të tjera shumë të rëndësishme. Po në dhjetor skadon edhe mandati i anëtarëve të KSHZ-së.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Anëtarët aktual u zgjodhën në korrik të 2018-tës, me mandat 6 mujor, për të zbatuar referendumin. Në dhjetor të po të njëjtit vit, atyre ju vazhdua mandati edhe për 2 vite. Premtimet ishin që përbërja e KSHZ-së do të shndërrohej nga politike në përbërje ekspertësh, kurse përzgjedhja do të bëhej gjashtë muaj para çdo cikli zgjedhor. Që atëherë, kjo ide nuk ka parë më dritë. Shumica nuk komenton as për këtë çështje.

Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja thotë se nuk ka as bisedime ndërpartiake. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa mbështesin modelin aktual të përbërjes së KSHZ-së por kërkojnë të kenë brenda përfaqësuesin e tyre.

Me një mekanizëm të tillë, me përfaqësuesin tonë, do të kemi qasje të çdo komisionar dhe do të mund ta mbrojmë votën e lire, jo vetëm të përkrahësve tanë por do të kemi përfaqësues të denjë që do ta mbrojnë votën e lire edhe të qytetarëve të tjerë – u shpreh Skender Rexhepi, Alternativa & Aleanca për Shqiptarët.

Jozyrtarisht, partitë do të duhet të zhvillojnë negociata për të gjitha këto pozita, përfshirë edhe procedurën e ngecur për anëtarët e këshillit programor të Radiotelevizionit Kombëtar, si pjesë e reformave në media, që nuk u zbatua kurrë në tërësi.

Fatlume Dervishi