Lajme

Si u gjet i vdekur burri nga Gjakova, flasin nga familja dhe policia

Pas disa ditësh i zhdukur, dje është gjetur i vdekur 68-vjeçari nga Gjakova, Gasper Preqi. Ai është gjetur në një fushë në fshatin Lugbunar të Gjakovës, apo në vendin që quhet “Kodra e Qerkezit”.

Për gjetjen e tij familja kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve, ndërsa Gazeta gjatë ditës së sotme ka kontaktuar me njërin nga familjarët, numri i të cilit ishte vendosur në thirrjen për gjetjen e tij.

Ai tha se i moshuari është gjetur nga një banor i fshatit, ndërsa familja nuk e di mënyrën sesi ka vdekur. Për këtë po e presin raportin e autopsisë.

“Është gjetur nga një banor i fshatit. Ai (i ndjeri), ka dalë shumë shpesh për të ecur, ka shku te familjarët e tij. Ka vuajtur edhe nga sëmundjet, ka qenë i paralizuar në njërën dorë dhe ka pasur probleme me këmbet”, tha familjari i 68-vjeçarit.

Lidhur me rastin ka folur edhe Nysret Xhurkaj, zëdhënës në Policinë Rajonale të Gjakovës.

Ai tha se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML, ndërsa rasti është cilësuar si hetim i vdekjes.

“Ju informoj se personi i cili eshte paraqitur i zhdukur me date 17.04.2021 i njejti eshte gjetur me date 20.04.2021 pa shenja jete ne Fsh. Lugbunar ne një fushe te lire ose ndryshe quhet “Kodra e Qerkezit”. Ne vend te ngjarjes kane dal njësia e Hetimeve Rajonale. Eshte njoftuar Prokurori për Krime te Renda dhe me urdhër te tij trupi i pa jete i viktimes dërgohet ne Mjekësinë Ligjore për Obduksion, dhe rasti cilësohet hetim i vdekjes”, është shprehur Xhurkaj.