Sport

Si ndihmohet futbolli ynë

Në këta 27 vjet të zbatimit të tij, Ligji Nr.

Në këta 27 vjet të zbatimit të tij, Ligji Nr.7892 “Për sponsorizimet”, i datës 21 dhjetor 1994 (https://www.vendime.al/wp-content/uploads/2015/08/Ligji_7892_1994_Per_Sponsorizimet.pdf), e ka ndihmuar pak ose pothuajse asfare sportin në tërësi dhe futbollin shqiptar në veçanti. E meta kryesore e tij është se ka vendosur një tavan prej 4 për qind të fitimit të sipërmarrjeve përpara tatimit. Vetëm kjo shumë konsiderohet të zbritet nga rezultati financiar. Ndryshimet e propozuara nga qeveria për të ndihmuar sportin, pavarësisht dëshirës së mirë, janë të destinuara të dështojnë njëlloj si ky ligj, nëse miratohen nga Kuvendi, për disa arsye kryesore. Së pari, ato e shtojnë tavanin e sponsorizimit me vetëm një për qind, në 5 për qind të fitimit. Pavarësisht se ofrojnë trefishin si përfitim fiskal (në shumën që konsiderohet shpenzim i zbritshëm për sipërmarrjen që sponsorizon), mendoni një kompani që dëshiron të sponsorizojë një klub shqiptar futbolli dhe që realizon një fitim vjetor prej 1 milion eurosh në vit. Maksimumi që ajo mund të ndihmojë ekipin janë 5 për qind, pra vetëm 50 mijë euro në vit, ose diçka më shumë se 4 mijë euro në muaj. Ndërkohë që, dimë që nevojat dhe kërkesat e një ekipi futbolli për të qenë konkurrues në arenën kombëtare e, për më tepër ndërkombëtare, janë shumë më të mëdha. Së dyti, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 7892, datë 21.12.1994 “Për Sponsorizimet”” (https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/256 ), vendos një tavan që këtë status, pra të trefishit të sponsorizimit që konsiderohet shpenzim i zbritshëm, e përfitojnë vetëm sipërmarrjet që realizojnë fitim mbi 100 milionë lekë (rreth 800 mijë euro). Mirëpo kështu zvogëlohet me njëzet herë baza e sipërmarrjeve sportdashëse! Po përse? Sepse, për fat të keq, sportdashësit sipërmarrës të gatshëm për të ndihmuar futbollin nuk ndodhen në radhët e 200 kompanive më të mëdha, me mbi 800 mijë euro fitim në vit. Jo! Ata janë mes 34 mijë bizneseve të mesme dhe të vogla të vendit, dhe ky ndryshim ligjor i përjashton ata nga mundësia për të kontribuar dhe përfituar trefishin e sponsorizimit si shpenzim të zbritshëm në rezultatin financiar. Të flasim më konkretisht, nëse klubin sportiv të Durrësit, sidomos pas tërmetit dhe pandemisë, duan ta mbështesin bizneset e vogla dhe të mesme të qytetit (ato më sportdashëset!), këto sipërmarrje nuk kanë asnjë mundësi të përfitojnë nga statusi i këtij ndryshimi ligjor. Së treti, autorizimin që sponsorizimi të mund të kryhet, kur i ke plotësuar të gjitha kërkesat, jepet vetëm nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe jo automatikisht. Përveç vonesave burokratike për të respektuar një kusht të tillë, projektligji nuk jep asnjë parim mbi bazën e të cilit Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve mund të japë apo të refuzojë autorizimin, duke i hapur rrugë kështu subjektivitetit të plotë, si dhe nuk shmang konfliktin e interesit, pasi Drejtoria e Tatimeve do të jetë e prirur të japë sa më pak autorizime, për shkak të impaktit që do të ketë ky rol në performancën e saj (ulen disi të ardhurat). Në këto kushte, është me shumë vlerë që qeveria të rishikojë kërkesat e komunitetit të futbollit, pasi disa prej tyre janë të zbatueshme dhe nuk rëndojnë Buxhetin e Shtetit. Ky komunitet propozon që pragu i sipërmarrjeve subjekt i ligjit të sponsorizimeve, që mund të sponsorizojnë sportin, të zbresë në një fitim përpara tatimit mbi 20 milionë lekë, ose mbi 170 mijë euro. Në këtë mënyrë i shtohen sportit ato dhjetëra mijëra sipërmarrje të mesme dhe të vogla që realizojnë mbi 20 milionë lekë fitim në vit, dhe që janë sportdashëse shumë më tepër se kompanitë e mëdha me fitim mbi 1 milion euro në vit. Propozimi i dytë është që, deri në 30 për qind të tatimit mbi fitimin sipërmarrjet të lejohen që të mund ta sponsorizojnë dhe investojnë në sport. Vërtet buxhetit të shtetit do t’i mungojnë 30 milionë euro tatim në vit, por këto 30 milionë euro do të shkojnë gjysma (15 milionë euro) në investime në infrastrukturë për futbollin, çka është e domosdoshme, 7.5 milionë në sportet e bazës dhe fëmijët, si dhe 7.5 milionë euro për klubet. Ndryshimet e tilla të propozuara, nëse miratohet nga qeveria, u krijojnë mundësi klubeve të sotme të futbollin të privatizohen, pasi tërheqin në garë blerësit dhe investuesit privatë për klubet, duke u mundësuar të mbulojnë kostot e mirëmbajtjes dhe funksionimit të çdo klubi. Në këtë mënyrë, Buxheti i Shtetit nuk do jetë më i detyruar të mbulojë kostot e mësipërme, sikurse bën deri tani me fondet nga bashkitë, por do të japë mundësi, nëpërmjet lehtësimit të sponsorizimit nga sipërmarrjet, për të krijuar më shumë vlera në aktivitetet sportive, më shumë të punësuar në sektorin sportiv dhe më shumë zhvillim të sportit në çdo cep të Shqipërisë. Sigurisht që përqindjet dhe modalitetet e përdorimit të fondeve nga sponsorizimi do jenë të ndryshme për klube të ndryshëm. Komuniteti i futbollit është i gatshëm të diskutojë me ekspertët e qeverisë kushtet për kontrollin e rreptë të zbatimit të skemës së propozuar prej tij, për të rilindur efektivisht futbollin shqiptar. Ndryshimet e propozuara në legjislacion do të sjellin më shumë vlerë në klubet sportive shqiptare, më shumë të ardhura, më shumë konsum dhe marrëdhënie me furnitorë, më shumë të punësuar, e si rrjedhim më shumë tatime, taksa dhe kontribute të derdhura në buxhetin e shtetit shqiptar, duke bërë që efekti financiar i ndryshimeve të propozuara të jetë minimal, ngaqë afërsisht 10 milionë euro, ose një e treta e barrës fiskale të krijuar, i kthehet shtetit në mënyrë indirekte nëpërmjet taksave, tatimeve, kontributeve të sigurimeve shoqërore etj. Është momenti ta ndihmojmë realisht sportin, në radhë të parë futbollin shqiptar, dhe këtë duhet ta kuptojë qeveria jonë një orë e më parë.