Kosovë

Si morën medalje e mirënjohje policët që akuzohen për vrasje e përdhunim

Vit për vit, Policia e Kosovës shpërblen me medalje ose mirënjohje zyrtarët policorë të dalluar. Jo rrallëherë në mesin e atyre që janë shpërblyer ka pasur edhe “problematikë”. Rasti i fundit është ai me rreshterin Fatmir Miftari, i cili para rreth një viti kishte gjobitur një vajzë, e sipas saj, gjobën e mori pse kishte qeshur me zë të lartë. Polici i njëjtë, dje është akuzuar se ka goditur në kokë zëdhënësen e PSD’së, Natyra Kuçin.

Ishte korriku i vitit 2019, kur zyrtari policor Fatmir Miftari nga Vushtrria u bë i njohur. Arsyeja për këtë ishte një gjobë që i kishte shqiptuar një qytetareje. Ajo e kishte denoncuar publikisht duke thënë se gjobën e ka marrë vetëm pse kishte qeshur me zë të lartë.

Nën pretekstin se e kishte prishur rendin publik, ai e kishte gjobitur vajzën me 100 euro.

I njëjti dje është akuzuar edhe se ka ushtruar dhunë fizike ndaj zëdhënëses së PSD’së, Natyra Kuçit. Sipas aktivistëve të kësaj partie, Miftari e ka goditur në kokë Kuçin, edhe pse ajo ishte në stacion policor me duar të lidhura.

Hiç më larg se në dhjetor të vitit 2020, Policia e Kosovës e ka dekoruar Miftarin me Medaljen Policore për Lëvdim. Me këtë medalje shpërblehen zyrtarët aktiv të Policisë së Kosovës për shërbime meritore gjatë kryerjes së detyrave, duke u bazuar në standardet më të larta të profesionalizmit policor.

Por, ky s’është i vetmi që është shpërblyer gjatë 2020’ës.

Në Policinë e Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se gjatë vitit të kaluar janë dekoruar me medalje 230 zyrtarë policor.

“Janë ndarë 230 Medalje për Shërbim të Besnikërisë për zyrtarët policor( Medalje qe i ndahet zyrtarit policor për çdo 10 vite shërbim, P.sh për 10 vjetor ose 20 vjetor etj. ), 4 Medalje Mburojë e Policisë, 18 Medalje për Policore për Lëvdim , 26 Lëvdata dhe 21 Mirënjohje”, kanë deklaruar nga Policia.

Ndarja e medaljeve, lëvdatave, shpërblimeve dhe mirënjohjeve bëhet zakonisht për nder të ditës së Policisë dhe për festat e fundvitit dhe është e përcaktuar edhe me Ligjin e Policisë.

Nga Zyra për Informim e Policisë kanë treguar edhe për mënyrën se si vjen deri te shpërblimi i zyrtarëve policorë.

“Sektori përkatës zakonisht një muaj para këtyre datave hape periudhën ku të gjithë mbikëqyrësit mund të propozojnë vartësit e tyre për medalje, Lëvdatë apo Mirënjohje. Policia e Kosovës ka Komisionin për shqyrtimin e propozimeve për medalje.

Komisioni është i pavarur dhe formohet edhe i përgjigjet direkt Drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Propozimet për medalje duhet të përmbajnë elemente të punës së punonjësit qe i ka tejkaluar të priturat gjatë performancës se tij në punën policore”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.

E rasti i Miftarit s’është i vetmi rast kur “problematikët” janë dekoruar. Në mesin e të shpërblyerve nga Policia e Kosovës ka edhe të akuzuar për vrasje e përdhunim.

Me mirënjohje ishte shpërblyer edhe ish-rreshteri Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Aliajt, punëtor i një kazinoje në Suharekë. Më herët ai është hetuar për shumë raste, derisa mirënjohjen e ka marrë tri vite para se të kryente vrasjen në kazino.

Mirënjohje nga Policia kishte marrë edhe polici Vesel Veseli, i cili dyshohet për përdhunimin e një vajze të mitur nga Drenasi. Ai dyshohet për përdhunim të vazhdueshëm për më shumë se një vit të një 16-vjeçareje.

Sipas raportimeve të mediave, mirënjohja atij i ishte ndarë disa javë para se të arrestohej për dyshimet për përdhunim./Gazeta Express

Share Now