Lajme

Si erdhi tek rrahja në pompën e derivateve në Ferizaj që e çoi drejt vdekjes 50-vjeçarin

50-vjeçari Asllan Leskovci ka vdekur në muajin shkurt të këtij viti në QKUK, pasi paraprakisht u godit me grusht në kokë në parkingun e një pompe derivatesh në fshatin Bibaj të Ferizajt. Nga goditja që mori i ndjeri ra në beton. Pamjet e kamerave të sigurisë ndodhen në duart e policisë e prokurorisë.

I dyshuari që ka goditur 50-vjeçarin ka qëndruar disa ditë në arrati, por gjatë ditës së djeshme u raportuar se i njëjti është dorëzuar në stacionin policor.

B.Sh., është dorëzuar në polici në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas marrjes në pyetje me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë.

Lidhur me rastin Gazeta ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, i cili tha se gjatë ditës së sotme për të dyshuarin do të përgatitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërsa, theksoi se viktima dhe i dyshuari nuk janë njohur më parë dhe goditja fizike ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje të rastit.

“I dyshuari është dorëzuar në polici gjatë ditës së djeshme, sot do të përgatitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. I dyshuari dhe viktima nuk janë njohur më parë, dyshohet se ishte mosmarrëveshje e rastit”, tha kryeprokurori Jashari.

“Pamjet nga kamerat e sigurisë i kemi, shihet se viktima bie në tokë nga një goditje e të dyshuarit”, përfundoi ai.

Viktima ishtë dërguar në ambulancë nga i dyshuari, i cili më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

Sipas versionit të familjarëve, 50-vjeçari ishte me aftësi të kufizuara dhe nuk ishte në gjendje ta sulmonte askënd.