Lajme

“Si erdhi në pushtet Vladimir Putin nga bombardimet e ndërtesave ruse në vitin 1999?”

David Satter, gazetari amerikan që kaloi dekada duke raportuar mbi politikën ruse para se të dëbohej, është nga njerëzit e parë që pretendoi se Presidenti Putin dhe FSB mund të ishin përfshirë në bombardimet vdekjeprurëse të apartamenteve në Rusi në 1999.

Në një intervistë për “Insider”, Satter foli rreth këtyre bombardimeve, rreth të cilave ishte shprehur edhe më parë në një samit të organizuar nga Fondacioni i të Drejtave të Njeriut, që mblodhi së bashku disa nga kritikët më të mëdhenj të Putinit.

“Në verën e vitit 1999 dukej e pamundur që Putini të bëhej presidenti i ardhshëm rus, por bombardimet në ndërtesa dhe apartamente ndryshuan gjithçka. Pas këtyre ngjarjeve u tha që tani ne po jetojmë në një vend krejt tjetër”, u shpreh Satter.

Më shumë se 200 njerëz u vranë në bombardimet e shtatorit. Rusia fajësoi militantët çeçenë, duke shkaktuar Luftën e dytë Çeçene. Sipas Satter, çeçenët u akuzuan pa asnjë provë, dhe duke vepruar kinse me sukses ndaj tyre Putini doli përpara popullit si shpëtimtari i vendit, u vu në krye të një lufte në Çeçeni dhe arriti të zgjidhej presidenti i ardhshëm rus.

Për gazetarin, bombardimet kanë qenë guri themelor i një komploti për të hutuar opinionin publik rus, për të krijuar terror dhe për të drejtuar zemërimin e tyre ndaj ish-presidentit Jeltsin dhe çeçenëve. Ai deklaron se asokohe edhe vetë gazetat ruse vinin në dukje mundësinë se autoritetet ishin vetë ata që hidhnin në erë ndërtesat. Në të njëjtën kohë, bomba nisën të zbuloheshin nëpër bodrumet e ndërtesave që dukeshin të ishin një përpjekje e mirëfilltë për të hedhur në erë ndërtesat, por autoritetet thanë se shërbenin vetëm për stërvitje trajnimi.

“Tre persona u arrestuan për vendosjen e një bombe në një ndërtesë në Ryazan, qytet në Rusi. Ata dolën të mos ishin çeçenë, jo terroristë në kuptimin e zakonshëm, por më tepër agjentë të Shërbimit Federal, FSB. Kërkova dokumente nga CIA nga FBI, nga Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare, nga Departamenti i Shtetit. Kam marrë shumë, por shumë pak që ishte e dobishme. Mora edhe disa dokumente nga Departamenti i Shtetit që tregonin se bombardimet në apartament ishin jashtëzakonisht të dyshimta. Duhej të ishe i shurdhër, memec dhe i verbër për të mos parë se çfarë po ndodhte. Dhe në veçanti duhej të ishe “vullnetarisht injorant” nëse nuk do të shihje përfshirjen e autoriteteve në këto ngjarje”, tha gazetari David Satter.