Kult

Shuk Orani, për të dytën herë pjesë e panairit të Artit Bashkëkohor “Arte Padova”

Sërish këtë vit do të ringjallen pavionet e

Sërish këtë vit do të ringjallen pavionet e Panairit të Padovas për edicionin e 30-të të “Arte Padova”, njërën nga aktivitetet më të vjetra në botën e artit në Itali. Aktiviteti do të zhvillohet nga 15 deri më 18 nëntor 2019. Bëhet fjalë për Panairin vjetor të Artit Bashkëkohor Padova, një ekspozitë arti që u kushtohet artistëve, pronarëve të galerive, kritikëve, artdashësve dhe koleksionistëve.

Në këtë panair do të zbuloni vepra arti në pikturë, skulpturë, grafikë, fotografi, por gjithashtu do të ketë edhe konferenca dhe prezantime librash. Pjesëmarrja në Arte Padova përbën një hap të rëndësishëm jo vetëm për artistët e etabluar apo që aspirojnë, por edhe për talentet e reja që përfaqësohen në fushën e artit bashkëkohor.

Në qendër të këtij panairi të artit bashkëkohor është UFOFabrik Contemporary Art Gallery dhe Epsilon Art Gallery, e cila këtë vit do të prezantojë  “The surprise of the relevant decline”, një ekspozitë të kuratuar nga Mauro Defrancesco, një galerist italian. Qëllimi i ekspozitës së tij është të transmetojë optimizëm për origjinën e artit, ndërsa në të njëjtën kohë të hapë horizonte të reja artistike për artistët, duke bërë të mundur që ata të përfshihen në dialog me publikun.

Kuratori do të prezantojë një grup të larmishëm artistësh, përfshirë këtu: Shuk Orani, Luciano Caggianello, Feofeo, Luana Segato dhe shumë të tjerë.

Si pjesë e kësaj ekspozite, ne jemi fokusuar veçanërisht te njëri prej artistëve, Shuk Orani. Artisti shqiptar nga Kosova, që nga viti 1993 jeton dhe punon në Hamburg, si artist i pavarur. Në artin e tij, Orani ballafaqon të renë me të vjetërën, shtron pyetje dhe tregohet i hapur për zhvillimin natyror.

Orani është një kritik i dezorientimit njerëzor dhe mungesës së gatishmërisë për të menduar në kontekste më të mëdha, pasi që (njeriu) ka mungesë kujtese, ndjenjash dhe intuite. Pasi që kjo ide nënkupton një reduktim të realitetit, artisti eksploron se si materia me ngjyrë mund të ndryshojë një strukturë fillimisht të mangët dhe të gjenerojë mundësi të reja perceptuese. Pasioni i tij për artin dhe letërsinë e shtyn çdo ditë drejt dëshirave dhe projekteve të reja artistike. Midis abstraksionit, neo-ekspresionizmit ose figuracionit, veprat e tij janë të gjalla, impulsive, dinamike dhe veçanërisht shprehëse.

Sidoqoftë, talentit të tij nuk i janë dashur vite për tu shpalosur, sepse Orani tashmë ka qenë i pranishëm ndërkombëtarisht, në ekspozita personale dhe grupore. Në institucione prestigjioze si Muzeu i Artit Bashkëkohor në Pekin, Muzeu i Luvrit si pjesë e një çmimi fotografie në Paris ose  në Teatrin Kombëtar në qytetin e tij të lindjes në Kosovë.

Disa javë më parë ai u përfaqësua edhe në Panairin e fundit të Artit Bashkëkohor në Cyrih në vitin 2019.

Kjo është hera e dytë që ai prezanton veprën e tij në kontekstin e Arte Padova (2014 e fundit). Këtë vit artisti gjermano-kosovar paraqet katër nga portretet e tij spektakolare të grave. Në veprat e tij, ai zbulon ekskluzivisht portrete femrash të punuara në mënyrë të përpiktë me një linjë të zezë e të bukur, një ngjyrë të verdhë të veshur me të kuqe, të llojit “no finito”. Abstraksioni dhe ngjyrat e çliruara shërbejnë si koncepte imazhi që përcjellin të kapërcyeshmen, pafundësinë dhe ringjallin karakterin sakral të pikturës. Por, përkundër këtij sfondi, kompozimet piktorike janë veçanërisht tërheqëse përmes sensualitetit të tyre. / Albinfo.ch / KultPlus.com