Maqedoni

Shtyhet gjyqi për rastin “Talir”, Shabani- Dimovskit: S’e lejoj papërgjegjësinë

Gjykatësi Osman Shabani, i revoltuar për shkak të mungesës së paparalajmëruar të të akuzuarit Ilija Dimovski në seancën e sotme për rastin “Talir”, publikisht madje dhjetë herë ia tërhoqi vërejtjen që kjo është mungesa e tij e fundit që e toleron gjykata.

“Paralajmërim publik për Ilija Dimovskin. Papërgjegjësi të këtillë nuk do të toleroj. Asnjëherë më në jetë mos guxo. Ilija Dimovski le të harroj që mund të ketë anulim. Jo NATO, jo BE, por nëse e kërkon edhe Shën Apostoll Pali, në të ardhmen nuk do të ketë anulim, kjo është e papërgjegjshme”, u shpreh Osman Shabani, gjykatës.

Kjo nuk është hera e parë që Dimovski të mos paraqitet në seanca. Mbrojtja e deputetit Dimovski tha se ai mungon për shkak të obligimeve zyrtare në Kuvend, por gjykatësi sërish reagoi që për këtë nuk e ka njoftuar gjykatën. Nëse nuk paraqitet në seancën e radhës më 13 nëntor, gjykatësi Shabani paralajmëroi që do të urdhëroj të sillet me shoqërim policor. Ndryshe, rasti “Talir” i PSP-së ka të bëjë me dyshimet për financim joligjor të VMRO DPMNE-së. Pas transferimit të lëndëve në Prokurorinë publike, këtë rast edhe më tej e udhëheq prokurorja Lençe Ristovska. Ish kryeministri në arrati, Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit si dhe për pastrim parash. Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski nga partia ngarkohen për pastrim parash kurse e akuzuara e fundit në këtë lëndë Elizabeta Çingarovska, e pranoi fajin ku mori dënim me kusht. Sipas akuzës, me veprimet e tyre, grupi ka kryer pastrim parash në vlerë prej 5 milionë euro.

Alsat

Loading…