Lajme

“Shtriganët” i dëmtojnë 40 autobusë (VIDEO)

Shoferi Ahmet Rrustolli është detyruar që ta kthejë njërin nga autobusët e linjës 4, nga Mati 1 në bazën teknike të Trafikut Urban në Prishtinë.

Kjo për shkak se automjetit i është dashur t’i rregullohet xhami, i cili pasditen e së dielës u thye nga disa fëmijë të cilët e gjuajtën me gurë derisa ishte në lëvizje me udhëtarë, përcjellë Klan Kosova.

Reklamo bizensin tuaj ketu

”Gjatë ngasjes, disa fëmijë kanë gjuajtur me gurë. Ne e kemi dëgjuar krismën dhe më pas e kemi vërejt që është thyer xhami”, ka thënë shoferi Ahmet Rrustolli.

Njëjtë është sulmuar një natë më herët edhe një autobus i linjës 1 – kurse disa të tjerë u gjuajtën me vezë. Krejt kjo nga fëmijët që kishin dalë rrugëve për ta shënuar Natën e Shtrigave, e njohur edhe si Halloween.

”Sipas informatave që më janë ofruar pasdite nga Komisioni Vlerësues i Dëmit, deklarojmë se dëmi i shkaktuar është rreth 3 mijë e 500 euro”.

”Nga fëmijët e paedukuar dhe të papërgjegjshëm janë goditur me vezë 40 autobusë”, është shprehur Lulzim Rexhepaj – kryeshef në Trafiku Urban.

Dëme të tilla ndaj autobusëve të Trafikut Urban, u shkaktuan në këtë festë edhe gjatë viteve të kaluara.