Lajme

Shtetet e QUINT-it i bëjnë thirrje Qeverisë të respektojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Shtetet e QUINT-it kanë bërë thirrje nga Qeveri

Shtetet e QUINT-it kanë bërë thirrje nga Qeveria e Kosovës që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të regjistrojë tokën e Manastirit të Deçanit, njofton Shqip.com.

Përmes një komunikate të përbashkët, shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen.

“Siç u vu re në deklaratën tonë të Quintit të 19 majit, respektimi i sundimit të ligjit është një detyrim për të gjitha qeveritë. Ne inkurajojmë fuqimisht Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë pa vonesë në zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mbështetja e Kosovës për sundimin e ligjit dhe gjyqësorin e pavarur bazohet në zbatimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha vendimeve të Gjykatës, pavarësisht nga mosmarrëveshjet politike”, thuhet në komunikatë.

Tutje, ato thanë se është shqetësues fati që Gjykata është e detyruar t’u kujtojë institucioneve ekzekutive që të garantojnë dhe zbatojnë sundimin e ligjit.

Ndryshe, të premten, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Prokurorin e Shtetit se aktgjykimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit “nuk është zbatuar nga autoritetet përgjegjëse”.

Pesë vite më parë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Por, ky vendim nuk është zbatuar nga institucionet e Kosovës, konkretisht komuna e Deçanit, pavarësisht thirrjeve për një gjë të tillë nga komuniteti ndërkombëtar./Insajderi.com