Kult

Shqiptarë e ndërkombëtarë në 100 vjet/ Konferenca shkencore: Shqipëria në sytë e të huajve

Fatmira Nikolli – Instituti i Historisë, pra

Fatmira Nikolli – Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, organizuan dje konferencën shkencore: “Shqiptarët dhe ndërkombëtarët në vitet 1912-1926”.
Konferenca tregoi së qasjet diplomatike ndaj shqiptarëve 100 vjet më parë ndërsa mediat pyetën për paralelizma me ditët tona. Sa kanë ndryshuar raportet mes shqiptarëve e ndërkombëtarëve në 100 vjet, rrëfehet më poshtë.





AFRIM KRASNIQI
“Shqipëria ka një marrëdhënie të pasur me ndikimet ndërkombëtare në vendimmarrjet politike. Nëse ne shohim historinë e shtetit periudha e vetme kur nuk patë prani ndërkombëtarësh është 1976-1990 që është mbase më e vështira dhe më dramatike të vendit. Duke qenë vend i vogël në kërkim të mbijetesës gjeopolitike e në kërkim të aleatëve. Problemi i madh është që ne kemi rendur gjithnjë pas fuqisë së madhe të kohës e kjo shpesh s’na ka lejuar të krijojmë një identitet në politikë e të krijojmë politikanë që vënë interesat kombëtare mbi ndërhyrjet e interesat ndërkombëtare.
Nëse hapen dokumentet e sotme të Shqipërisë e të shohim ç’bëjnë politikanët në tranzicion do shohim që është një politikë krejt ndryshe nga ajo që njohin qytetarët. Sot ne e kemi jetike të kemi më shumë BE e ndërkombëtarë e nëse SHBA s’do ishin aktivë në Shqipëri do ishte lajm i keq për brezat e rinj, për vendin e për interesat që Shqipëria ka në aspektin afatgjatë”, tha Krasniqi. Pyetjes për refuzimin ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave ai iu përgjigj: “Është çështje procesi dhe nuk lidhet tërësisht me ne sa lidhet edhe me çështje gjeopolitike, por Shqipëria nuk ia ka bërë detyrat e shtëpisë dhe Shqipëria po pret një dhuratë. Shumicën e proceseve integruese i ka pritur si dhuratë. Nëse bëjmë detyrat tona, që janë kushtet gjermane do i shërbenim vendit e qytetarëve, e atyre që na përkrahin për të lobuar për ne. Por ne shkojmë me idenë e mëshirës, me idenë që vendet do ndryshojnë mendje. Shqipëria ishte poshtë Maqedonisë së Veriut në listë dhe ka shumë për të bërë”. Krasniqi shton se zgjidhja nuk është sulmi ndaj shteteve të caktuara, sepse problemi jemi ne. “Ne jemi në krizë politike prej një viti dhe nuk kemi ofruar asnjë zgjidhje. Duhet t’i zgjidhim gjërat me dialog e kompromis duke rrezikuar karrierat personale të disave. Për sa kohë ne nuk e kemi këtë do vijojmë të jemi të varfër e viktimë e politikave elektorale të vendeve të tjera. Dje në PE një deputet radikal e shihte Shqipërinë jo si shtet në BE, por si provincë ekstreme e Perandorisë Otomane. Ky është paradoks i madh, mosnjohje e Europës është kalkulim elektoral dhe fyerje që i bëhet gjithçkaje që përfaqëson Shqipëria dhe vend që ka kaq shumë besim te Europa. Ka edhe hezitim të Tiranës për të mos i pranuar gjërat. Kryeministri të dalë me platformë, opozita të pranojë gabimin me dorëzimin e mandateve dhe të bëjë marrëveshje të re; të funksionojnë gjykatat. S’duhet ta varim fatin tonë te fatet e individit që na udhëheq. Nëse ne i bëjmë këto do ishte më i lehtë raporti ynë me BE”, theksoi Krasniqi. Ndërkaq për refuzimin francez ai kujtoi se Shqipëria s’ka pasur kurrë një vizitë të një presidenti francez në vend. Por ai tha se jo-ja e Macronit nuk është paragjykim, por është 50% gjeopolitik e 50% për shkak të bilancit të munguar në Shqipëri.

Beqir Meta
Sa i takon paralelizmit mes viteve 1920 dhe ditëve të sotme, historiani shqiptar tha se kumtesa e tij bazohej në vlerësimet britanike për Shqipërinë dhe kapacitetet shtetformuese. “Kur shohim moseficencë të qeverisë, kriza politike dhe ikje masive të popullsisë, të gjitha këto shtrojnë një pyetje themelore: çfarë kapacitetesh shteformuese ka ky komb që nxjerr qeveri që nuk arrijnë të zgjidhin probleme themelore. Kjo pyetje është shtruat që më 1920 e veç dy dekadave optimiste, ngjarjet e ndodhura në 100 vjet përforcojnë bindjet që shqiptarët nuk kishin kapacitetet e duhura shtetformuese. U shtrua në tryezë ideja e një mandati ndërkombëtar. Sot nuk jemi në atë kohë, por ka krizë e progresi është i pamjaftueshëm. Harold Nikolson, diplomat britanik karriere shef për Ballkanin në Foreign Office, thoshte atëkohë që ‘një shtëpi e përçarë nga brenda, duhet të luftojë ose për të mbijetuar ose do zhduket. Ai thoshte se këtë koncept kanë britanikët”,-tha Meta. Ai shtoi se burimet diplomatike britanike arrinin në përfundimin se s’ishin të përgatitur për demokraci parlamentare. “Ai thoshte për politikanët e asaj kohe, por mund ta themi dhe sot që nuk ishte politikani që i bënte homazhet e duhura idealeve të demokracisë. Nuk e kishte në shpirt e në botëkuptim. I dëgjojmë të flasin për ideale, por thelbi i tyre nuk është i tillë. Dhe këtë tip politikani të atëhershëm e të sotëm, britanikët e shihnin si rrezik. Politikani sharlatan që tjetër flet e tjetër bën. E shihnin rrezik për mbijetesën e shtetit. Ata thoshin se politikanët nuk arrijnë t’u vënë fre interesave personale përballë atyre interesave të shtetit”,-tha Beqir Meta. Shtoi se ata ishin njerëz që kishin marrë pjesë në shpalljen e pavarësisë dhe ata nuk tregonin aftësi. Sipas tij jo-ja për Shqipërinë në BE është dëshmi e dështimit për të krijuar institucione demokratike të profilit europian. “Ky është thelbi. Është dështim i gjithë klasës politike dhe shoqërisë, e qeverisë, opozitës dhe e jona. Të huajt na shohin me këtë sy, një shoqëri që nuk arrin të krijojë institucione. Skam parë raportet diplomatike, por kështu funksionon”.

BUJAR DUGOLLI
Profesori nga Kosova foli për trajtimin e së kaluarës dhe përçarjen e shqiptarëve në vitet 1920, që erdhi prej ndarjeve të brendshme. “Edhe skena politike nuk ka ide se ku duhet vënë kombi në zhvillimin e shek XXI”. Për refuzimin e negociatave ndaj Shqipërisë dhe ndikimin në Kosovë, ai tha se “qasja e BE e mosuniteti i tij ndaj Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve është i dukshëm. Këtë po e pësojnë popujt e vegjël. Shqiptarët nuk arrijnë të jenë një zë që të jenë me detyra të përmbushura. Edhe nga pala tjetër nuk shihemi si shtete që e meritojmë por fajet tona janë të dukshme”. I pyetur për unitetin e shqiptarëve, Dugolli tha se nuk duhet pritur e pyetur jashtë. “Bëhen mbledhje qeverie të pafrytshme e prapë barrierat si në ekonomi, si në tregti, arsim e kulturë vazhdojnë. Ne merremi me retorikë folklorike për një komb. Përtej ideve rilindase kemi mundësi të bëjmë bashkimin praktik ekonomik e kulturor e këtë nuk na e ndalon askush, as ekonomikisht të integruar, sistem doganor, politikë të jashtme. Kjo bëhet duke ruajtur stabilitetit”. Sipas Dugollit, çështja e shengenit ballkanik është një çështje që vjen “kur ta kemi shengenin shqiptar, atëherë të gjithë popujt e Ballkanit do ta trajtojnë shqiptarin më me seriozitet. Derisa ata tentojnë të na ndajnë dhe të na marrin si pjesë mozaiku, atëherë ne dalim më të dobët. Çdokush që e synon shengenin ballkanik pa bërë shengenin shqiptar ka qasje të gabueshme dhe dëshiron ti stimulojë krijesat artificiale si ajo jugosllave. Popujt më të konsoliduar si ai serb përfitojnë në këtë aspekt ndërsa ne po të jemi të unifikuar do përfitonim”, tha ai