Sport

Shqipëria me kampion bote në mundje/ Prizreni: Gëzimi më i madh në jetën time, tani presim më shumë vëmendje nga qeveria!

Zelimkhan Abakarov ka shkruar sot historinë pë

Zelimkhan Abakarov ka shkruar sot historinë për sportin e mundjes në Shqipëri, teksa ka fituar medaljen e artë në peshën deri në 57 kilogram në Botërorin që po zhvillohet në Beograd.



Një bast i fituar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, i cili ishte ndër ata që insistuan për afrimin e Abakarov për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi.

“Kjo është kënaqësia më e madhe në jetën time, gëzimi më madh sportiv edhe pse kam dalë vetë i treti në botë. Mendoj që kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në këto vite dhe kemi bërë krenar shqiptarët me shumë sakrifica për të arritur në majë. Këta djem kanë qenë seriozë dhe jam shumë i lumtur që kemi pasur këtë bashkëpunim me ta. Trajtimi gjatë viteve të fundit kundrejt sportit në përgjithësi dhe mundjes në veçanti ka qenë në nivele pothuajse qesharake, por diçka më në fund po lëviz. Premisat janë që do të rregullohet diçka dhe të kemi më shumë vëmendje dhe investime nga qeveria për sportin, përfshirë edhe mundjen. Unë shpresoj shumë që në të ardhmen të kemi kushte, shpërblime e vëmendje tjetër edhe nga qeveria, pasi kjo arritje shkon për të gjithë shqiptarët”, shprehet Prizreni për “Panorama Sport” pas këtij suksesi historik dhe sigurisht të mundimshëm.