Shqipëri

Shqipëri, rinisin fluturimet humanitare

Në Shqipëri do të fillojnë fluturimet për qëll

Në Shqipëri do të fillojnë fluturimet për qëllime humanitare nga sot dhe fluturimet e tjera shtetërore, ndërsa për udhëtarët pritet të rifillojnë gjatë ditës së nesërme, pas bllokimit të tyre për shkak të ndërprerjes së punës nga kontrollorët e trafikut ajror, që disa prej tyre janë ndaluar nga policia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale tha se sot nisin fluturimet esenciale, ku sipas saj përfshihen fluturimet humanitare, fluturimet emergjente, ato shëndetësore, fluturimet diplomatike, fluturimet shtetërore dhe ushtarake.

“Dua të informoj të gjithë qytetarët që do jetë e pamundur në këto momente që të kemi fluturime komerciale, pra fluturimet e aviacionit civil, por gjatë ditës është duke u punuar për të arritur në një zgjidhje edhe të këtij problemi shumë të madh. Nesër që nga orët e para të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës do të fillojmë të kemi operime normale në aeroportin e Rinasit për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komerciale”, theksoi Balluku.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se është mbledhur Komiteti i Mbrojtjes Civile për të diskutuar problematikat e krijuara në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe masat e nevojshme për normalizimin e situatës.

Sipas njoftimit, ky komiteti vendosi që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë masat e nevojshme për të bërë operacional kontrollin e trafikut ajror, qoftë edhe duke zëvendësuar nëse lind nevoja kontrollorët e larguar me kontrollorë të rinj vendas ose të huaj.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në kuadër të situatës së krijuar, u ngarkua të përcaktojë kriteret minimale të licencës sipas standardeve ndërkombëtare si dhe çdo kriter tjetër të nevojshëm për të filluar fluturimet sa më parë. Autoriteti i Aviacionit Civil u ngarkua të marrë të gjitha masat e nevojshme për rifillimin gradual të operimit ajror dhe në rast nevoje, të licencojë në mënyrë të përshpejtuar kontrollorët e trafikut ajror”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi se Kombëtarja Shqiptare e Futsallit nuk do ta zhvillojë ndeshjen e eliminatoreve të “Europianit 2022” me Ukrainën, e programuar për t’u luajtur më 11 prill 2021 në qytetin Zaporizhia.

Në njoftimin e zyrës së shtypit të FSHF-së thuhet se shkak për këtë ndryshim të programit është bërë bllokimi i fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës.

Ndalohen 3 kontrollorë të trafikut ajror

Avokati i kontrollorëve, Rezart Kthupi, në një deklaratë për mediat, tha se kanë përfunduar procedurat për njoftimin e akuzës dhe ndalimin e tre prej kontrollorëve, sipas tij, me akuzën për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.

Kthupi më herët gjatë ditës konfirmoi se 24 kontrollorë të trafikut ajror janë shoqëruar nga policia për t’u intervistuar dhe dhënë shpjegimet e tyre lidhur me situatën, ku më pas janë lënë të lirë.

Ndërkohë, sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, greva nuk mund të ushtrohet në shërbimet e rëndësisë jetike, ku ndërprerja e punës rrezikon jetën, sigurinë personale ose shëndetin e një pjese ose të tërë popullsisë dhe mes këtyre shërbimeve përfshihen edhe shërbimet e kontrollit të trafikut ajror.

Prokuroria e Tiranës po i vazhdon hetimet në lidhje me situatën dhe ky institucion pritet të publikojë një deklaratë zyrtare në lidhje me hetimet dhe personat e ndaluar.

Kujtojmë se me anë të një deklarate për mediat, Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA) tha se vendimi për uljen e pagave të kontrollorëve është realizuar pa asnjë proces konsultimi dhe sipas tyre shkel një numër të konsiderueshëm ligjesh, ndërkohë pagat e tyre janë ulur për shkak të ndikimeve të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas kësaj sindikate, situata në lidhje me trajtimin e kontrollorëve “ka krijuar një gjendje të rrezikshme dhe nivel stresi shumë të madh për kontrollorët e trafikut ajror”.

Në lidhje me situatën në aeroport reaguan edhe zyrtarë të lartë të vendit, si presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke bërë thirrje për rikthimin e kontrollorëve të trafikut ajror në punë.