Lajme Shëndetësi

Shqetësuese / Për një muaj humbën jetën 335 persona dhe u regjistruan 18 mijë e 540 raste me COVID-19

Në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 39 mijë e 596 dhe janë regjistruar 1 mijë e 16 viktima nga ky virus.

Sikurse edhe vendet e tjera të botës edhe Kosova është duke u përballur me shifra të larta të të infektuarve me koronavirus gjatë këtij muaji.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se që nga fillimi i pandemisë e deri më 30 nëntor, në vendin tonë janë infektuar me koronavirus 39 mijë e 596 persona, raporton lajmi.net.

Mirëpo, muaji nëntor ka qenë ai i cili më së shumti ka regjistruar raste të reja, por fatkeqësisht edhe viktima.

Sipas statistikave zyrtare të IKSHPK-së, nga 49 mijë e 533 testime sa janë bërë gjatë muajit nëntor, 18 mijë e 540 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Bazuar në këto të dhëna, ka qenë pikërisht data 13 nëntor, kur në vend ishte regjistruar rekord i zi, me 963 raste të reja, raporton lajmi.net.

Mirëpo, gjatë muajit nëntor edhe numri i viktimave ka qenë mjaftë i lartë. Sipas IKSHPK-së, brenda këtij muaji fatkeqësisht 335 qytetarë kanë humbur betejën me koronavirusin, përderisa ka qenë data 21 nëntor ku vendi ynë ka regjistruar rekordin e zi të viktimave, 19 të vdekur brenda ditës ishin regjistruar.

Sipas të dhënave zyrtare të IKSHPK-së, gjatë muajit nëntor kanë qenë 9 mijë e 481 persona të cilët kanë arritur që të shërohen plotësisht nga koronavirusi.

Theksojmë se në Kosovë numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 39 mijë e 596, përderisa janë regjistruar 1 mijë e 16 viktima nga ky virus.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më 30 nëntor, në Kosovë janë shëruar nga koronavirusi 25 mijë e 1 persona dhe aktualisht në vendin tonë janë 13 mijë e 579 raste aktive me COVID-19.