Maqedoni

Shoqatat nga Tetova: Stefoska po kthen agjendën anti-shqiptare të viteve të 80-90-ta

Të revoltuar nga shpallja e rezultateve të Ministrisë së Kulturës për përzgjedhjen e projekteve shqiptare, 17 shoqata për kulturë, art dhe letërsi të Tetovës, kanë akuzuar ministren e kulturës Irena Stefoska se po kthen agjendën anti-shqiptare të viteve të 80-90-ta në kulturë. Përfaqësuesja e këtyre shoqatave Zinepe Rexhepi, tha se projektet shqiptare nuk janë marrë […]

Të revoltuar nga shpallja e rezultateve të Ministrisë së Kulturës për përzgjedhjen e projekteve shqiptare, 17 shoqata për kulturë, art dhe letërsi të Tetovës, kanë akuzuar ministren e kulturës Irena Stefoska se po kthen agjendën anti-shqiptare të viteve të 80-90-ta në kulturë.

Përfaqësuesja e këtyre shoqatave Zinepe Rexhepi, tha se projektet shqiptare nuk janë marrë aspak në shqyrtim, ndërsa i quajti trillime arsyetimet e Ministrisë së Kulturës se këto projekte nuk kanë plotësuar dokumentacionin.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut urgjentisht ta ftojë në përgjegjësi Ministren aktuale të Kulturës, Irena Stefoska, dhe ta shkarkojë nga kjo detyrë! Urgjentisht të tërhiqet Programi i miratuar anti-shqiptar, të formohen komisione të reja me përfaqësues të denjë shqiptarë në ta dhe të rishqyrtohen të gjitha projektet një nga një – deklaroi Zinepe Rexhepi, Nisma e 17 Shoqatave Kulturore Artistike të Tetovës.

Në përkrahje të shoqatave kulturore të shqiptarëve ka dalë edhe zëvendës ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani. Fajin për programin që cungon shqiptarët, ia hedh tërësisht Ministres për kulturë.

Unë kam qenë dhe jam në anën e institucioneve dhe artistëve shqiptarë, njëkohësisht, përkrah çdo iniciativë të artistëve shqiptarë, shoqërive kulturore apo shtëpive botuese. Në prononcimin e saj publik, ministrja tha se është konsultuar me ekspertë shqiptarë për programin, tani kush janë ata ekspert shqiptarë për të cilët flet ministrja le të dalin dhe të tregojnë nëse janë të kënaqur me përqindjen që iu është ndarë institucioneve apo artistëve shqiptarë – tha Sedat Sulejmani, zv/ministër i Kulturës.

Sulejmani po ashtu ka pohuar se, janë në bisedime me ministren për Kulturë, për rishqyrtimin e programit për kulturë për vitin 2021.

Ministria e Kulturës kohë më parë ka pranuar se për dallim nga viti i kaluar shoqatat shqiptare të kulturës, për këtë vit kanë marrë 110 milionë denarë më pak.