Lajme

Shoqata e Pacientëve bën thirrje të sigurohen më shumë vaksina kundër Covid-19

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve të Kosovës (PRAK) ka thënë se në ditwn e të drejtave të pacientëve Kosovën e gjen më shumë se asnjëherë tjetër të ekspozuar ndaj një rreziku të madh shëndetësor siç është pandemia COVID-19.

“Menaxhimi i pandemisë që nga fillimi u shoqërua me shumë probleme, gjë që ndikoj në shkelje masive të të drejtave të pacientëve. Ndër problemet kryesore ishin, politizimi i pandemisë që nga fillimi, mungesa e testeve, mungesa e oksigjenit, masat preventive jo adekuate, mosrespektimi i masave, fushata e shfrenuar e partive politike, hapja e specializimeve që e la kujdesin parësor në mungesa të mëdha të mjekëve, ulja e buxhetit për barna, ndaljen e shërbimeve seletive shëndetësore, e krejt në fund edhe mungesën e vaksinave për qytetarët tanë”.

“Në kohën kur gjitha vendet evropiane dhe të rajonit kanë vaksinuar një numër të madh të qytetarëve të tyre, Kosova ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vetme, të blerë nga buxheti vetanak. 24,000 të cilat erdhën si donacion ende nuk janë administruar pasi që procesi po ecën me hapa të ngadaltë”.

“Në këtë ditë të shënuar, PRAK u bënë thirrje institucioneve që në afat sa më të shkurtër kohor të sigurojnë qasje të qytetarëve në vaksinim, skenës politike të jetë e unifikuar rreth mbrojtjes së shëndetit publik të qytetarëve (përkatësisht votuesve të tyre), qytetarëve të respektojnë masat, në mënyrë që të kemi sa më pak persona të vdekur”, thuhet në njoftimin e PRAK-ut.