Lajme

Shoferi i ‘Rrumit’ qëlloi atentatorët, si dështoi vrasja e Prokurorit

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, dukej mir

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, dukej mirëorganizuar në pamje të parë, por autorët dështuan në realizimin e objektivit. Nga të shtënat me armë humbi jetën Andi Maloku, ndërkohë që u plagosën prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, i njohur me pseudonimin “Rrumi”.

Pranë mbikalimit të Shkozetit i dyshuari Redjan Rraja, bashkë me një person tjetër, hapën zjarr ndaj makinës së prokurorit Ndoja. Ata qëlluan me dy kallashnikov me breshëri, por çuditërisht nuk vijuan në momentin që makina ku udhëtonte prokurori doli jashtë rruge.

Gazeta Mapo mëson se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë që nuk i përket dy kallashnikovëve që u gjetën në makinën e autorëve. Grupi hetimor dyshon se është qëlluar nga një makinë tjetër, por jo drejt prokurorit, por drejt automjetit të atentatorëve. Dyshimet bien mbi një person që mund të jetë shoferi i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi”.

Aleksandër Laho po udhëtonte me makinën e prokurorit dhe automjeti ku ndodhej edhe shoferi i tij po e ndiqte nga pas. Sapo atentatorët kanë filluar të qëllojnë drejt prokurorit, aty ku ndodhej edhe Aleksandër Laho, dyshohet se shoferi i këtij të fundit ka qëlluar me pistoletë ndaj automjetit të autorëve. Kjo mendohet se ka qënë arsyeja pse i dyshuari Redjan Rraja dhe dy persona të tjerë janë larguar direkt, duke mos vijuar të qëllojnë drejt makinës ku ndodhej Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho.

Gazeta Mapo mëson gjithashtu edhe arsyjen se pse autorët nuk e kanë djegur makinën pranë Ishmit. Dyshohet se Redjan Rraja dhe dy personat e tjerë, nuk e kanë hapur dot direkt bagazhin ku ndodheshin shishet me benzinë dhe nga frika se mos i ndiqte automjeti ku ndodheshin miqtë e Aleksandër Lahos, janë larguar me shpejtësi, kjo edhe për ti shpëtuar zbulimit.

Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda, do të ndryshojë akuzën ndaj Redjan Rrajës dhe dy personave të tjerë, të cilët tashmë do akuzohen për plagosje ndaj dy ose më shumë personave, vrasje me paramendim, pasi humbi jetën Andi Maloku dhe grup i strukturuar kriminal.

Aktualisht i arrestuar për atentatin është Redjan Rraja, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person nga Lushnja.


Etiketa: , , , ,