Lajme

Shmanget për fije tragjedia, Luftanija ruse rrezikon të goditet nga raketa që lëshoi vetë

Gjithçka ndodhi gjatë një stërvitjeje ushtarake në Detin e Japonisë: protagoniste e ngjarjes së rrallë u bë luftanija ruse “Marshal Shaposhnikov”, e pajisur më raketahedhësen e fuqishme Kalibr.

Por, gjatë manovrave në det, njëra prej raketave 3M14T nuk ndoqi trajektoren e parashikuar.

Raketa u rrotullua disa herë mbi anijen që e lëshoi dhe përfundoi në det shumë pranë saj, duke shkaktuar frikë në bord. Në ato momente u mendua se ajo do të godiste vetë “Marshal Shaposhnikov”.

Tragjedia, u shmang praktikisht vetëm falë fatit. Sistemi Kalibr, me një madhësi prej gati 9 metrash, konsiderohet homologu rus i raketave amerikane Tomahawk. Me një rreze që shkon deri në 2.500 km, ai mund të godasë shënjestra me një precizion mjaft të lartë, duke përdorur edhe raketa me mbushje bërthamorë.