Lajme

Shkon në 765 numri i viktimave nga dhuna e policisë në protestat që po mbahen kundër puçit ushtarak në Mianmar

Është rritur në 765 numri i personave që kanë h

Është rritur në 765 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga forcat e sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grusht shtetit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Insajderi.

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 6 të vdekur, në protestat në qytetet Hpakant, Wetlet, Mandalay dhe Hsipaw duke rritur në të paktën 765 numrin e viktimave, raporton Anadolu Agency (AA).

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 3.555 persona dhe se ka një urdhër arresti për 1.369 persona të tjerë.

Ndërkohë Baw Kyaw Heh, lideri i Unionit Kombëtar Karen (KNU), një prej grupeve të armatosura etnike kundër grushtit të shtetit, duke theksuar se rezistenca që ka filluar në mbarë vendin pas grusht shtetit të 1 shkurtit është një mundësi e madhe për grupet etnike, tha se “Kjo mundësi duhet vlerësuar mirë dhe të luftojmë kundër diktaturës ushtarake”.

Ai u bëri thirrje grupeve tjera etnike për të vepruar së bashku për të shpëtuar nga administrata ushtarake.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest. /Insajderi.com