Lajme

Shkollat në fshatrat e Prizrenit sot me standardet më të larta evropiane (FOTO)

E besuat ose jo, në këto shkolla mësojnë nxënësit në fshatrat e Prizrenit. Ata sot kanë klasa mësimore shtesë, hapësira për laborator, me anekse të reja moderne.

Një prej prioriteteve të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka vazhdon të mbetet ngritja e cilësisë në arsim dhe krijimi i parakushteve për mësimnxënie. Kësaj radhe, fokusi ka qenë në transformimin e hapësirave të brendshme të institucioneve parashkollore, respektivisht në përmirësimin e infrastrukturës shkollore, njofton 24-ore.info

Sot në Prizren është bërë përurimi projektit e radhës, atë të aneksit të ri të shkollës “Mithat Frashëri” në fshatin Krajk të Hasit, ku nxënësit e kësaj shkolle tanimë posedojnë hapësira moderne me: 6 klasa mësimore shtesë, hapësira për laborator,  sallë adekuate të arsimtarëve, nyje sanitare për nxënës, persona me aftësi të veçanta dhe për personel.

Gjithashtu, dje kryetari Haskuka dhe Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, Xhemile Thaçi-Vezgishi, morën pjesë në përurimin e klasave parashkollore të ShFMU “Mati Logoreci”, të cilët u renovuan nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, në deklarimin e tij theksoi se ky investim ka qenë më se e nevojshme për shkollën “Mati Logoreci”, ngase është njëra nga shkollat më të vjetra në komunën e Prizrenit.

“Ky investim ka qenë më se e nevojshme për shkollën ‘Mati Logoreci’, ngase është njëra nga shkollat më të vjetra të komunës sonë. Rregullimi dhe funksionalizimi i hapësirave shkollore është njëra nga prioritetet kryesore të qeverisjes sonë, andaj falënderojmë KFOR-in Turk për investimet dhe mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim.”, tha Haskuka.



Edhe në të kaluarën kishte investuar në renovimin e disa shkollave në pjesë të ndryshme të komunës së Prizrenit.  

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka paralajmëruar se edhe gjatë ditëve në vijim do të punohet intensivisht për përfundimin e punimeve edhe në shkollat tjera të komunës së Prizrenit, për të krijuar hapësira dhe mjedise sa më kualitative dhe të përshtatshme për një edukim cilësor./24-ore.info