Lajme

Shi deri të dielën, situata e përmbytjeve në të gjithë vendin

Moti i keq me reshje intensive shiu do të vijo

Moti i keq me reshje intensive shiu do të vijojnë deri ditën e dielë. Raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, flasin për një mot shumë të vështirë, me reshje të dendura, erë të fortë dhe rreziqe për përmbytje në tre ditët në vijim.

Sipas parashikimeve priten reshje shumë intensive (më shumë se 90 mm/ 24 orë) në pothuajse të gjithë territorin gjithë ditën e enjte. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.

Ditën e premte, datë 8 nëntor, pritet një rënie e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin, të cilat do të arrijnë nivelin 45-90 mm/24 orë, ndërsa ditën e shtunë datë 9 nëntor priten reshje të dobëta në të gjithë vendin 15mm/24 orë. Moti pritet të përmirësohet ditën e diel.

Zonat e prekura nga përmbytjet

Lezhë
Probleme të theksuara ka pasur një ditë më parë, e mërkurë, 6 nëntor 2019. Sot situata në Lezhë duket më e qetë, pas uljes së intensitetit të reshjeve. Uji është tërhequr nga zonat ku kishte përmbytje mbrëmë, si në Lezhë ashtu dhe në Shëngjin. Raportohet se ka pasur reshje me intensitet mesatar gjatë gjithë natës. Ndërkohë probleme ka me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra për shkak të dëmtimit të linjave elektrike nga stuhia.

Durrës
Edhe në Durrës, po ashtu si në Lezha, në disa lagje ka pasur vërshim të ujërave si rrjedhojë e bllokimit të kolektorëve. Situata ka sjellë vështirësi në lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve.

Tiranë
Edhe në qytetin e Tiranës ka pasur vërshime të ujërave nëpër rrugë. Probleme ka pasur në Rrugën e Elbasanit, Dibrës dhe të Durrësit.

Kukës
Reshjet e shiu kanë vijuar me intensitet të lartë në Qarkun e Kukësit. Në këtë qark ka pasur reshje të dendura shiu deri në 24.4 milimetra, ku kanë vijuar edhe gjatë mëngjesit të sotëm. Si pasojë e reshjeve në rrugët e bashkisë së Tropojës dhe të Hasit ka pasur rrëshqitje dherash e masivesh shkëmbore duke bllokuar qarkullimin. Sipas shtabit rajonal të emergjencave civile në rrugën kombëtrar Bajram Curri- Valbonë lëvizjet e mjeteve bëhet në një krah për shkak të gurëve dhe dherave, ndërkohë po punohet për pastrimin e plotë të këtij aksi.

***

Në qytetet e tjera si Vlorë, Fier, Shkodër dhe Elbasan reshjet vijojnë me intensitet por nuk raportohet për probleme.

Numrat e emergjencave 

OSHEE 04 227 41 41

ARRSH 067 39 82 866

DPSHTRR 068 80 15 833


Etiketa: ,