Kosovë

Shërimi jashtë vendit shpresa e vetme, s’ka kush të punojë në spitalin për fëmijë që e po ndërton Kosova

Kosovarët edhe për një kohë do të detyrohen që të kërkojnë shërim për fëmijët e tyre jashtë vendit, edhe përkundër faktit që spitali i ri pediatrik po ndërtohet, meqë s’ka mjekë të kualifikuar për të punuar aty.

Janë bërë gjashtë vite, që kur Emiratet e Bashkuara Arabe kanë financuar ndërtimin e spitalit të ri kirurgjiko-pediatrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por që sot e kësaj ditë ky spital nuk është funksiona. Gazeta Express mëson se funksionalizimi i tij mund të merr kohë, kjo pasi që nuk ka staf të përgatitur për të punuar aty.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Fëmijët me sëmundje të zemrës, edhe gjatë vitit të ardhshëm do duhet t’i drejtohen shteteve tjera për të kërkuar shërim. Kjo pasi që shërimin nuk do të mund ta gjejnë në institucionet publike shëndetësore në vend.

Edhe pse janë bërë gjashtë vite që kur Emiratet e Bashkuara Arabe kishin ndarë 22 milionë euro për ndërtimin e spitalit kirurgjik-pediatrik, ky i fundit ende nuk ka arritur të funksionalizohet.

Derisa objekti i destinuar për këtë spital është drejt finalizimit, problematikë tashmë po mbetet përgatitja e punëtorëve shëndetësorë, e mungesa e kardiokirurgëve pediatrik.

Ramush Beiqi, kardiolog pediatër, ka thënë për Gazetën Express, se punëtorët shëndetësorë duhet të trajnohen për të dhënë shërbime në spitalin e ri.

Ai është shprehur se stafi shëndetësorë duhet të dërgohet në Turqi për të marrë përgatitjen e nevojshme, dhe se kjo përgatitje do të merr kohë.

“Ekziston një fond për trajnimin e stafit dhe jam i interesuar që ai fond të aktivizohet dhe të identifikohen nevojat e klinikës së re dhe nevojat e Kosovës për pediatër. Duhet ta dërgojmë stafin në një qendër spitalore, për momentin në Turqi sepse rrugët  tjera na janë bllokuar”, ka thënë ai.

Beiqi ka thënë se përgatitja e stafit shëndetësorë do të duhet të bëhej më herët.

Ai është shprehur se për spitalin e ri mungojnë edhe kardiokirurgët.

“Ne kemi nevojë për kardiokirurg dhe për kardiolog invaziv. Ne kemi nevojë për intervenime kirurgjikale specifike, për staf të njësisë intensive e për staf të specializuar. Ne jemi vonë në trajnimin e stafit. Duhet të identifikojmë nevojat tona dhe të fillojmë trajnimin e stafit që kur të hyjmë në një spital të ri të hyjmë edhe me njohuri të reja”, ka thënë ai.

Express ka kontaktuar edhe zyrën për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, për tu informuar se kur do të fillojnë të ofrohen shërbimet në këtë spital, por që të njëjtit kanë thënë që të drejtohemi në Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës, derisa nga zyra për informim në këtë institucion nuk janë përgjigjur  në pyetjet e dërguara.

Tri njësi të Pediatrisë, do të kalojnë në spitalin e ri

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Drita Telaku-Qosaj, ka treguar për Express, se një pjesë e stafit shëndetësorë të kësaj klinike, do të kalojë në klinikën e re.

Ajo ka theksuar se kujdesi intensiv pediatrik, reparti i hemato-onkologjisë dhe emergjenca pediatrike, do të kalojnë në spitalin e ri.

“Unë jam e informuar në bazë të planit fillestar që ka qenë që disa reparte të pediatrisë do të kalojnë në objektin e ri. Është e planifikuar që emergjenca pediatrike të kaloj në spitalin e ri, kujdesi intensiv pediatrik dhe reparti i hemato-onkologjisë”, ka deklaruar ajo.

Përndryshe, Telaku është shprehur se njësia e emergjencës pediatrike, duhet të mbulohet edhe me më shumë staf shëndetësorë.

“Njësia e emergjencës pediatrike, ka staf, mirëpo duhet të kompletohet me staf shtesë, sepse kjo njësi do të jetë me më shumë shërbime se që e kemi ne aktualisht. Në spitalin e ri, kushtet do të jenë më të mirë”, ka deklaruar ajo.

Në Kosovë janë të shumta rastet kur familjet detyrohen që fëmijët e tyre t’i dërgojnë për shërim jashtë vendit. Një gjë e tillë kërkon dhe një kosto të lartë, dhe për këtë arsye shumë shpesh nëpër rrjete sociale, rrugë e sheshe shihen njerëz tek kërkojnë ndihmë për të dërguar të afërmit e tyre për shërim në Turqi apo shtete të tjera.