24 orë+

Sherifi: Nuk do të lejojmë që votat kriminale serbe të tjetërsojnë vullnetin e 42 mijë votuesve të Nismës

Bilall Sherifi i Nismës, ka thënë se në konferencë për media ka dalë për të informuar publikun lidhur me procesin e numërimit të votave, nga fillimi deri më sot.

Ai ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD, ka arritur të grumbullojë rreth 42 mijë vota.

“Nga votat e diasporës ka arritur të ketë 6,9 për qind, nga votat me kusht 5.5 për qind dhe nga kutitë e rinumëruara po ashtu 5.5 për qind, ndërsa në total nga votat e rregullta dhe të vlefshme, koalicioni ka arritur të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës duke arritur shifrën 5,017 për qind të votave”, ka thënë Sherifi.

“Nëse kemi parasysh që në vendin tonë janë lejuar që të hyjnë disa vota ilegale, kriminale, të kontrabanduara në postën numër 6 dhe të dërguara në QNR për numërim pa asnjë vendim paraprak pa raport paraprak të Prokurorisë e cila i kishte në ekzaminim, pa një vendim të KQZ-së se çfarë duhet të bëhet me ato vota, sërish Nisma Socialdemokrate e kalon pragun.

Megjithatë ne insistojmë që këto vota që janë mbushur në mënyrë kriminale, në asnjë mënyrë të mos trajtohen nga KQZ-ja”, ka thënë Sherifi.

Ai ka treguar se ky subjekt ka ushtruar ankesë në KQZ për këtë çështje, ndërsa PZAP-ja, sipas tij, e ka këshilluar se kjo ankesë është e hershme.

“Prandaj na këshillon që pas shpalljes së rezultatit final nga ana e KQZ-së të bëjmë sërish ankesë. Ne kemi vendosur që të respektojmë këtë këshillë të PZAP-së”, ka thënë më tej ai.

“Ne presim që duke pasur parasysh trendin e Nismës, ne kemi arsye të kërkojmë rinumërimin e tërësishëm në gjithë Kosovën”, ka thënë Sherifi.

Tutje, Sherifi ka thënë se “kushdo që mendon që përmes votave kriminale, të hedh poshtë vullnetin e 42 mijë votuesve, që kanë zgjedh të votojnë koalicionin e Nismës bënë gabim të rëndë dhe do të ballafaqohen me ligjin”.

“Askush nuk ka të drejtë që për 2-3 mijë vota të mbushura, të ardhura dhe të sistemuara në mënyrë kriminale të tjetërsojë vullnetin e mbi 42 mijë votuesve të Nismës. Demokracia në Kosovë është në sprovë në këto momente. Kushdo që mendon se Nisma do të rri duarkryq përball këtij kërcënimi të demokracisë, këtij krimi zgjedhor, gabon. Ne do të shfrytëzojmë të gjitha instrumentet ligjore dhe juridike për të sfiduar këto vendime”, ka thënë ai. “Nuk do të ndalemi deri sa drejtësia do të fitojë. Askush, ama bash askush në këtë vend nuk ka të drejtë që për disa vota që askujt nuk i hyjnë në punë të tentojnë që të lënë jashtë Kuvendit vullnetin e 42 mijë votuesve. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të ndjekim këtë çështje deri në fund”, ka thënë më tej Sherifi.