Sport

Shefi i UEFA-s: Jemi në bisedime me ekipin ligjor, do të ketë pasoja për klubet e Superligës

Presidenti i UEFA-s Alexander Ceferin, ka thënë se klubet që u përfshinë në krijimin e Superligës Evropiane do t’i vuajnë pasojat për përpjekjet e tyre për ta krijuar një ligë të shkëputur.

12 klube të mëdha, Real Madrid, Atletico Madrid, Barcelona, Manchester United, Liverpool, Manchester City, Chelsea, Arsenal, Tottenham, Inter, Juventus dhe Milan ishin nënshkrues të projektit të Superligës të dielën si klube themeluese, raporton Gazeta Express.

Por vetëm 48 orë më vonë, 10 prej tyre u tërhoqën dhe disa nga to edhe kërkuan falje publike, pas protestave dhe kundërshtimeve të mëdha nga tifozët, analistët e futbollit dhe të tjerët.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me klubet që tentuan shkëputjen nga Liga e Kampionëve përmes Superligës, Ceferin tha se ato do të përballen me pasoja.

“Do të flasim për futboll, por në ato takime, unë do të vendos se kush ulet afër meje. Dike do ta ul larg meje”, tha Ceferin.

“Nëse këto klube duan të luajnë në garë tonë përsëri, ato duhet të na u afrohen neve dhe ne do të vlerësojmë se çfarë do të ndodhë, por nuk dua të flas në hollësi, sepse ende jemi në bisedime me ekipin tonë ligjor”, theksoi ai.

Shefi i futbollit evropian shtoi: “Shumë gjëra ndodhën në 24 orët e fundit pas kongresit. Pres më shumë lajme deri të premten. Mendoj se ata që po pretendojnë të jenë plotësisht të qetë në këtë situatë nuk po e tregojnë të vërtetën. Kjo situatë është e komplikuar për ekipet dhe jo për UEFA-n, e cila e ka mbështetjen e 244 ekipeve nga 247.

“Pra, tani ne presim që të gjithë t’i kuptojnë gabimet e tyre dhe t’i vuajnë pasojat. Për këtë flasim javën e ardhshme”, shtoi ai.

Tri prej këtyre klubeve, Real Madrid, Chelsea dhe Manchester City janë ende në garë në Ligën e Kampionëve.

Por Ceferin tha se ka pak gjasa që ndeshja gjysmëfinale mes Chelseat dhe Real Madridit të mos zhvillohet.

“Kryesorja është se ky sezon ka filluar tashmë, prandaj transmetuesit do të na ndiqnin për dëme nëse nuk lejojmë zhvillimin e këtyre gjysmëfinaleve”, tha Ceferin.

“Prandaj, ekziston vetëm një mundësi shumë e vogël që kjo ndeshje të mos luhet javën e ardhshme”, shtoi ai.