Bota

ShBA-ja e lëshon dorën, blen 500 milionë doza të Pfizer-it për botën

Shtetet e Bashkuara kanë blerë dhe do të dhurojnë 500 milionë doza të vaksinës së kompanisë “Pfizer” për Covid-19 për shtete të ndryshme në mbarë botën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pritet ta japë zyrtarisht këtë lajm gjatë samitit të Grupit G7 që do të mbahet të enjten në Angli, tha për televizionin CNN një person i afërt më këtë çështje.

Rreth 200 milionë doza pritet të shpërndahen gjatë këtij viti dhe 300 milionë të tjera në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, transmeton Gazeta Express.

Këshilltari i lartë i presidentit Biden, Jeff Zients, ka punuar për blerjen e këtyre vaksinave gjatë muajit të fundit, tha burimi për televizionin amerikan.

Të gjitha vaksinat do të shpërndahen përmes programit të OBSh-së, COVAX, dhe nga to do të përfitojnë 92 shtete me të ardhura të ulëta, përpos shteteve anëtare të Unionit Afrikan.

Ndryshe, disa ditë më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë vaksina për Covid-19 edhe për Kosovën. Ky lajm ishte i mirëpritur duke  pasur parasysh se Kosova deri më tani ka vaksinuar një numër të ulët të qytetarëve për shkak të mungesës së dozave.