Bota Lajme

ShBA-ja e Irani drejt Vjenës për bisedime bërthamore, flitet me ndërmjetës

Irani dhe Shtetet e Bashkuara thanë të premten se do të zhvillojnë bisedime indirekte në Vjenë nga e marta si pjesë e negociatave më të gjera për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Republikës Islamike dhe fuqive botërore.

Teherani i ka përjashtuar bisedimet sy më sy me delegacionin amerikan, por prania e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në kryeqytetin austriak do të paraqesë ndihmë për kthimin e fokusit te kthimi i të gjitha palëve në marrëveshje.

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian, që është koordinator i marrëveshjes, tha se qëllimi është që të arrihet një marrëveshje brenda dy muajve. Në Iran do të ketë zgjedhje në qershor, që i bie se marrëveshja synohet të arrihet para kësaj gare.

“Irani dhe ShBA-ja do të jenë në qytetin e njëjtë, por jo në dhomën e njëjtë”, tha një burim evropian i diplomacisë. Një diplomat perëndimor tha se do të zbatohet e ashtuquajtura “shuttle diplomacy”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se bisedimet do të organizohen përreth grupeve punuese që do t’i formojë BE-ja me palët që janë ende pjesë e marrëveshjes, përfshirë Iranin. Ai tha se ShBA-ja nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë sepse para palëve ndodhen diskutime të vështira, por beson që ky është një hap i shëndoshë përpara.