Lajme

Serwer: Washingtoni t’i tregojë Serbisë se NATO do t’i mbrojë fqinjët nga Beogradi

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Dan

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të bëhen reale me Serbinë.

Sipas tij, Washingtoni duhet t’i dërgojë sinjal të qartë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se NATO-ja do t’i mbrojë të gjithë shtetet fqinje të Serbisë nga ndonjë qëllim jofqinjësor i Beogradit, njofton Insajderi.

Reagimi i Serwer vjen pas deklaratës së Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin, i cili në një tubim të partisë së tij është shprehur se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Pas kësaj deklarate të Vulin që u kritikua nga shtetet e Ballkanit, presidenti Vuçiq tha se politikë e shtetit të tij “është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve”.

Përmes një shkrimi, Serwer thotë se Vuçiq po dëshiron që t’i bashkojë serbët në një hapësirë të vetme.

Por, shtoi se herën e fundit që Serbia tentoi një gjë të tillë, përfundoi në luftë me shtetet fqinje duke u largua pa asnjë territor tjetër.

“Serbia ka tetë fqinjë të afërt. Të gjithë kanë pakica serbe, megjithëse në Bullgari është më e vogël. Gjashtë janë anëtarë të NATO-s (Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Rumania). Dy të tjerë kanë trupat e BE dhe NATO të përkushtuara në integritetin e tyre territorial (Bosnja dhe Kosova).

Çfarë ndodhi kur Serbia u përpoq në vitet 1990 të zgjeronte hapësirën e saj politike dhe të bashkonte disa nga ato pakica në një shtet? Luftë me Slloveninë, luftë me Kroacinë, luftë me Bosnjën, luftë me Kosovën dhe luftë me NATO-n. Rezultati: Serbët u larguan në Serbi nga vendet fqinje, por asnjë pëllëmbë katrorë e vendeve fqinje nuk iu dha Serbisë”, ka thënë Serwer.

Serwer i ka bërë thirrje Washingtonit që t’i japë mesazh të qartë Vuçiqit, ashtu sikur Bashkimi Evropian.

“Ka kohë që Brukseli i tha atij se BE nuk do të pretendojë më se anëtarësimi është një mundësi për një vend që strehon ambicie territoriale dhe nuk respekton kufijtë e fqinjëve të tij. Dhe është koha që Washingtoni të sinjalizojë qartë se NATO do të mbrojë të gjithë fqinjët e Serbisë nga synimet jofqinjësore të Beogradit”./Insajderi.com