Lajme

Selmanaj thotë se disa ministri do të shuhen e disa do të bashkohen – maksimumi do të jenë 12

Kandidati për një mandat të ri të postit të deputetit nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se suksesi i madh për qeverinë e re do të jetë vetëm kthimi i vendit në binar, sepse, siç tha ai, qeveritë e kaluara kanë degraduar gjithçka.

Në Interaktiv të KTV-së, Selmanaj foli për kushtet në lidhje me koalicionin e mundshëm mes LDK-së dhe VV-së, duke theksuar se partia që ai përfaqëson nuk ka kushte konkrete.

“Kushte konkrete nuk kemi, por duhet të merremi vesh për shumë çështje. Është dialogu me Serbinë për çka duhet të ulemi e të bisedojmë qartazi. Prekja e territorit të Kosovës nuk mund të negociohet dhe unitariteti i shtetit janë pika që LDK-ja s’pranon të diskutohen. LDK-ja ka thënë se duhet të kalojmë në marrëveshje reciprociteti të plotë me Serbinë. Nëse ne kemi telashe me targa në Serbi, edhe ata do të kenë në Kosovë, njëjtë edhe për pasaportat. Nëse ata s’na njohin pasaportat tona, s’do t’ua njohim as ne atyre”, tha ish-deputeti Selmanaj.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosja duhet të ndërrojë mënyrën e funksionimit tani që ka dalë partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Thotë se ajo më nuk është lëvizje që del në rrugë për të protestuar kundër qeverisë.

“Është parti fituese, dhe nuk hyhet në negociata me askënd me kushte, e aq më pak me ata që pretendon të bashkëqeveris. Ne nuk kemi asnjë çështje që mund të themi se ‘kjo na takon neve, e kjo juve’. Në dialogun mes dy partive do të dalin edhe emrat e përveçëm për ministra. Kushtet nga ta i kam dëgjuar vetëm në TV, s’i kam dëgjuar as nga takimet që kolegët e partisë i kanë pasur me ta. Uroj të jetë kështu, e të jenë vetëm çështje të televizioneve. Duhet të ulemi e të diskutojmë për secilën çështje sepse po e marrim një Kosovë të dërmuar”, potencoi Selmanaj.

Ai thotë se në LDK s’janë diskutuar çështjet se kush cilën ministri mund ta drejtojë.

Thotë po ashtu se lajm i madh për Kosovën është edhe zvogëlimi i qeverisë sepse, sipas tij, “qeveria e kaluar ka qenë zhvatëse, ka qenë qeveria më e madhe, e ngjashme me Kinën”.

“Kishin afërsisht 100 zv/ministra, pastaj shpiknin pozita vetëm për të rehatuar njerëz. Kishim koordinatorë nacionalë, pa e dikur kush se çfarë bëjnë ata. Koordinatori nacional i arsimit organizonte teste për të cilat as Ministria e Arsimit nuk ishte e informuar. Nga 21 ministri do të ulen në 12. Pozitat e koordinatorëve nacionalë do të shuhen. Zëvendësministrat do të jenë shumë më të pakët. Do të bëhen kursime deri në 100 milionë euro në vit me zvogëlimin e tyre. Ministria e Inovacionit apo e Zhvillimit Rajonal, këto ministri bien komplet. Kemi bërë skemën organizative të qeverisë e cila nuk kalon mbi 12 ministri. Ky s’do të jetë lajm i keq për njerëzit që punojnë në ministri. Njerëzit që janë punësuar si të rregullt do të punojnë nëpër ministri. Ata që duhet të frikësohen janë ata që s’kanë punuar kurrë nëpër këto ministri edhe pse kanë qenë të punësuar – pra kushtimisht ky mund të jetë lajm i keq për ta”, u shpreh ish-deputeti i LDK-së.