Lajme

Selimi, Qeverisë: Fatin e shqiptarëve në veri e keni lënë në duart e Listës Serbe

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka kritikuar ashpër ndaj qeverisë lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës dhe me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës,

Ai është adresuar pas fjalës së zëvendëskryeministrit, teksa ka thënë se fatin e shqiptarëve qeveria po e lë në dorë të Listës Serbe.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Selimi thotë se “po vazhdon spastrimi etnik” ndaj shqiptarëve.

“Fatin e shqiptarëve në komunat veriore e keni lënë në duar të Listës Serbe që na tregon se çfarë kanë bërë shqptarët. Po vazhdon në veri dhuna e përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Nuk lejohen të kthehen në pronat e tyre. Po vazhdon projekti i spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Serbia ka qenë gjithmonë e njëjtë për shqiptarët e Kosovën, e ka rritur territorin e vet me tokat tona. Kështu po mundohet të bëjë edhe tash. Sidomos që nga gjysma e dytë e shekullit 19-të e deri në ditët e sotme, Serbia përdori gjitha mekanizmat e saj të dhunës për dëbimin e shqiptarëve”, tha ai.

Ndërkaq, reagoi edhe ndaj deputetëve që thanë se statistikat e dëbimit të shqiptarëve nga komunat në veri nuk ishin të sigurta. Ai përmendi disa raste me emra të shqiptarëve të cilët përgjatë viteve janë vrarë, ndërsa shton se po vazhdon dhuna serbe me qëllim të ndryshimit demografik.

“Po vazhdon ndryshimi i dhunshëm demokratik në dëm të shqiptarëve dhe pakicave tjera jo-serbe. Vetëm në periudhën shkurt-qershor të vitit 2000, nga struktura paralale serbe dhe udhëheqës politik, u dëbuan mbi 12 mijë shqiptarë nga shtëpitë e tyre në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, Zveqanit e fshatrave tjera 11 u vranë për një natë në shkurt të vitit 2000. Gjatë gjithë periudhës së pasluftës vazhdoi dhuna…me qëllim të ndryshimit demografik. Nëse flasim për statistika, që u thanë nga kolegë se janë të rrejshme. Tregoni a janë këto statistika të rrejshme, 16 mars 2004, u mbytën në lumë dhunshëm fëmijët shqiptarë Egzon Veliu 12, Avni Veseli 11, Florent Veliu 9, nën përndjekjen dhe dhunën e bandave kriminele të suportuara nga strukturat paralele serbe. Kujtoni ekzekutimin me eksploziv Selver Haradinja, kujtojmë vrasjen e policit Enver Zymberi. Gjithë ato kërcënime e sulme ndaj shqiptarëve që po ndodhin e ndodhën në vazhdimësi”, tha Rexhepi.

Deputeti i VV-së thotë se sulme pati edhe ndaj ndërkombëtarëve, po ndodhin para syve të institucioneve, por se sipas tij, po heshtet.

“U sulmuan edhe policë ndërkombëtarë, pati sulme edhe ndaj pjestarëve të KFOR-it. Ndodh para syve të institucioneve tona dhe me bekimin e heshtjen edhe me indiferencën e sinkronizuar të qeveritarëve të Kosovës. Meqë kolegët serbë në këtë Kuvend pyetën ku janë serbët që kanë jetuar në Pejë, Prishtinë e Gjakovë edhe unë po pyes ku janë ata serbë që vranë në Pejë, Prishtinë e Gjakovë. Në Serbi apo pjesë e strukturave paralale në Veri”, ka shtuar ai.