Lajme

Seanca për Presidentin: A do të arrijë Vjosa Osmani të ulet në karrigen e shefes së shtetit

Në orën 18:00 është dashur të nis seanca në të cilën do të provohet zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës.

Nuk dihet nëse të gjithë deputetët e LDK’së do të marrin pjesë në procesin e votimit të Vjosa Osmanit, meqë brenda grupit parlamentar janë disa emra të cilët kanë vetëm histori përplasjesh me kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin.

Bëhet fjalë për Agim Veliun, Avdullah Hotin e Driton Selmanajn, votat e të cilëve janë në pikëpyetje të madhe, derisa mbetet të shihet se cili do të jetë edhe qëndrimi i Behgjet Pacollit.

Në rast se VV nuk merr të gjitha votat e LDK’së, pa votat e AAK-së, PDK-së dhe të Listës Serbe, do të jetë e pamundur zgjedhja e presidentit.

Ndërkohë thirrjet e Ambasadave të huaja në vend janë që të gjithë deputetët të marrin pjesë në seancën për presidentin dhe të përmbyllet cikli i formimit të institucioneve.

Kësaj seance i ka paraprirë tërheqja e Ligjit për Zgjedhjet nga Kuvendi i Kosovës, që ishte edhe kusht i LDK’së për Vetëvendosjen.