Kosovë

SBASHK-u: Deri në pikën e fundit do të përpiqemi ta zhvillojmë mësimin në shkolla

Qeveria e Kosovës përmes një vendimi të miratuar dje ka marrë masa të reja lidhur me luftimin e Covidit-19, që prapë me shifra alarmante është kthyer në vendin tonë.

Sipas këtij vendimi mësimi parauniversitar do të vazhdojë të zhvillohet në shkolla.

Reklamo bizensin tuaj ketu

E ky vendim duket të ketë gjetur edhe përkrahjen e SBASHK-ut , përfaqësuesit e të cilit janë shprehur të gatshëm për të vazhduar mësimin në shkolla.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jashari, ka thënë për IndeksOnlinen se aktualisht shkollat po funksionojnë sipas këshillave të institucioneve dhe se të gjithë mësimdhënësit janë që mësimi të vazhdojë brenda institucioneve.

“Ne jemi që mësimi të zhvillohet në institucionet arsimore. Ne nuk kemi qenë pro mësimit online. Ne po vazhdojmë të funksionojmë sipas këshillave , mësimdhënësit janë që të vazhdojë mësimi nëpër shkolla”, tha Jashari.

Jashari theksoi se pavarësisht masave të reja të qeverisë e të cilat do të mund të paraqesin telashe gjatë procesit, ata deri në momentin e fundit do të insistojnë që mësimi në tërësi të mos kaloj në sistemi online, por vetëm aty ku ka nevojë dhe ku ka raste me virus.

“Pavarësisht masave të Qeverisë që janë goxha ngushtuese, SBASHK-u është i përkushtuar që të japë maksimumin që deri në pikën e fundit ta zhvillojë mësimin në shkolla. Nga ana tjetër mësimdhënësit tashmë kanë marrë përvojë nga viti i kaluar shkollor dhe do të japin maksimumin që mësimi nëse kalon në atë online, të zhvillohet sa më mirë”, nënvizoi Jashari.