Showbiz

Salih Mustafa nis sot ballafaqimin me Prokurorët e Specializuar në Hagë

Nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të dalë për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, të hënën (sot), më 28 shtator në orën 15:00.

Mustafa u arrestua më 24 shtator pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Siç njoftuan Dhomat e Specializuara, seanca e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës do të jetë e hapur për publikun dhe mund të ndiqet përmes video-linkut.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Sipas rregullores, në paraqitjen e parë të të akuzuarit, ai informohet se brenda 30 ditësh do t’i kërkohet të deklarojë nëse është fajtor ose i pafajshëm për çdo akuzë.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Çfarë përmban aktakuza ndaj Salih Mustafës?

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të këtij viti.

Në bazë të aktakuzës, Mustafa dyshohet për disa vepra penale, përfshirë torturën dhe vrasjen e paligjshme.Aktakuza ndaj Salih Mustafës

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person –identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar – “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”.

Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njësit, siç thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Mustafës, kishte rreth 600 ushtarë dhe vepronte në zona urbane si Prishtina dhe Obiliqi.

Sipas aktakuzës, ky njësit e përdori kompleksin në Zllash si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Viktimat e këtyre krimeve, që pretendohen në aktakuzë, ishin të gjithë shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime, thuhet në aktakuzë.

Arrestimi i krerëve të OVL të UÇK

Një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, një bastisje prej më shumë se 8 orësh u krye të premten, më 25 shtator, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aksioni i bastisjes u krye nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ky aksion rezultoi me arrestimin e kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati si dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje në Hagë për dyshimet për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.