Lajme

Sali Zyba i përgjigjet Enver Hoxhajt: Ju konsiderojmë partnerë të Qeverisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, ka thënë se zgjedhjet në vend janë të pashmangshme. Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës kur deklarohet se është e hapur për zgjedhje “nuk e bën për shkak të vullnetit ose gatishmërisë”.

“Nëse LDK-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje mund qysh tash ta dorëzojë detyrën apo të propozojë votëbesimin, në seancën e ardhshme. Por kjo është lufta ose pazari i kërcënimeve mes partnerëve të shpallur apo pashpallur. Ne e konsiderojmë PDK-në si partnere të qeverisë, por të pashpallur publikisht. LDK-ja kur e deklaron i ka dy gjëra përpara vetes si zgjidhje, o të dorëzojë detyrën ose, meqenëse që e ka humb besimin e tash edhe arsyen për të vepruar, e sheh si mundësi, por jo si vullnet e gatishmëri. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt, me rregullore të Kuvendit bëhet për vetëm dy orë që t’i hapet rrugë zgjedhjeve”, ka thënë ai në Interaktiv.

Ai ka thënë se zgjedhjet për shkak të ngërçit për presidentit “jo veç që janë të mundshme, por janë shumë të nevojshme”.

Zyba: PDK-ja nuk ka qenë e interesuar për rrëzimin e Qeverisë

Për zhvillimet Hoxhaj e ka edhe qasjen gabim edhe kohën për të cilën po i referohemi gabim, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba në Interaktiv të KTV-së.

Zyba ka thënë se sapo PDK-ja ka dhënë qëndrim se është kundër kësaj qeverie të dështuar, kanë vepruar duke iniciuar një procedurë, kanë dërguar një shkresë tek subjektet që tashmë janë deklaruar përfshirë PDK-në, më 6 gusht.

“Qëndrimin tonë e kemi bërë publik përmes një konference, për iniciativën që tashmë është kërkesë edhe e subjekteve të tjera. Tash nëse Hoxha nuk e sqaron pozicion fillestar që ka deklaruar dhe kërkesës për një inicim të një procedure dhe tashmë është procedurë nuk mund të ulemi dhe të negociojmë pozicione qeveritare”, ka thënë Zyba. “Nëse ka qëndrim për rrëzim të qeverisë vetëm një procedurë e rrëzon qeverinë, mocioni i votëbesimit”.

Ai ka shtuar se, “ne gatishmërinë e kemi, iniciativën e kemi, nënshkrimet i kemi të deponuara, kërkesa është publike, pra kur them publike është edhe procedurë e ofruar, nuk mund të thotë PDK-ja që nuk ka pas iniciativë dhe kërkesë për nënshkrime”.

Zyba ka shtuar se tashmë PDK-ja e ka ofertën zyrtare përmes grupit parlamentar.