Kult

Safo Marko, gruaja e Petro Markos dhe piktorja e mahnitshme shqiptare (FOTO)

Safo Marko, nuk njihet vetëm si bashkësho

Safo Marko, nuk njihet vetëm si bashkëshortja e shkrimtarit Petro Marko, por edhe si ilustratorja, apo piktorja, disa punë të së cilës ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Safo ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Ajo kreu shkollën e mesme në Instituttin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. Duke patur pasion pikturën Marko bashkëpunoi menjëherë pas çlirimit në disa organe të shtypit dhe të propagandës së viteve 1945-1960. Më tej rreth viteve ’70 ajo do të ishte piktore në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

Artistja ka realizuar gjatë krijimtarisë së saj mbi 1000 kopertina librash si dhe ka qenë një nga piktoret kryesore ilustratore të revistave për fëmijë “Fatosi”, “Pionieri”. Në gjininë e Pllakatit ajo ka realizuar me dhjetra e dhjetra pllakate për festat popullore, për ngjarje të rëndësishme politike si festimet e ndryshme me karakter politik, social, kulturor & propagandistik si “1 Maji”, “28 – 29 Nëntori”, “8 Nëntori”, “1 Qershori”, “8 Marsi” etj.

Në këtë gjini Safo Marko kontriboi duke i botuar pllakatet e saj në shtypin e kohës të zmadhuara në sheshet e Kryeqytetit si dhe të realizuara në disa prej qyteteve kryesore. Ajo sëbashku me piktorët e tjerë grafistë të pas viteve 1960 si Pandi Mele, Ibrahim Shehu, Zef Shoshi, Besnik Dizdari, Vlash Prifti, Franc Ashiku ku realizuan pllakate të ndryshme në shërbim të propagandës partiake komuniste të kohës.

Në punimet e saj në pikturë Safo Marko ka lënë një koleksion me peizazhe kryesisht nga zona e bregdetit Jon, por edhe kompozime me figura femërore, ku ndjehet prirja e artistes për ti stilizuar figurat dhe për pasurimin e tablove me një kolorit me dritë. Safo Marko ishte pjesmarrëse duke filluar nga viti 1957 në ekspozitat kombëtare. Me punimet e saj ajo ishte pjesmarrëse në tri edicione të Bienales së Aleksandrisë në Egjypt.

Duke qenë e martuar me shkrimtarin Petro Marko i cili u arrestua dhe dënua në vitin 1947, sigurisht ju mohuan shumë të drejta në fushën e artit. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1975 kur ju arrestua i biri për agjitacion e propagandë. Piktorja Safo Marko deri në vitet e fundit të jetës mbeti bashkëpuntore e revistave për femijë si “Sirena e vogël”, “Mrekullia” etj. por gjithashtu ajo realizoi edhe kopertina dhe ilustrime për librat. Artistja vazhdoi të punoje deri vonë në moshë të thyer vepra në pikturë me motivet e bregdetit Jon. Safo Marko ndërroi jetë më 26 gusht 2012.

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzet vepra të artistes Safo Marko të viteve 1959-1998 ku mund të kujtojmë: “Qymyrxhesha” (1959), ”Portreti i Petro Markos” (1960), “Shitësja e luleve”(1960), “Autoportreti” (1960), “Fidanët” (1973), “Vajzat e Himarës (1998). Vepra të artistes ruhen në familjen Marko si dhe nga koleksionistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj.

Safo Marko lindi në Selanik më 28 mars 1925.

Ajo ishte vajza e Shefqet dhe Shazije Çelos. I jati Shefqeti kishte mbaruar studimet në Stamboll dhe punonte në administratën shtetërore si Kryetar Bashkie në disa qytete të Shqipërisë deri sa u nda nga jeta në vitin 1942. Safoja vazhdoi studimet e mesme në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, Tiranë, por nuk arriti ta mbaronte vitin e fundit, pasi u lidh me lëvizjen antifashiste Nacional-Çlirimtare. / KultPlus.com

The post Safo Marko, gruaja e Petro Markos dhe piktorja e mahnitshme shqiptare (FOTO) appeared first on KultPlus.