Bota

Rusia reagon pas marrëveshjes ShBA – Gjermani për gazsjellësin

Kremlini tha të enjten se nuk pajtohet me disa deklarata në marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë për gazsjellësin “Nord Stream 2”, duke këmbëngulur që Rusia kurrë nuk e ka përdorur energjinë si mjet për presion politik.

Sipas marrëveshjes së publikuar të mërkurën nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, Berlini zotohet për t’iu kundërpërgjigjur çfarëdo përpjekjeje të Rusisë për ta përdorur energjinë si armë kundër Ukrainës dhe shteteve të tjera të Evropës Lindore dhe Evropës Qendrore.

Pakti ka për qëllim që t’i pengojë ato që kritikët i shohin si rreziqe strategjike nga gazsjellësi që do të kushtojë 11 miliardë dollarë e që është përfunduar 98 për qind. Gazsjellësi “Nord Stream 2” kalon nën ujin e Detit Baltik dhe e ligj pjesën veriore të Rusisë me Gjermaninë.

“Rusia ka qenë gjithmonë dhe mbetet një garantuese e përgjegjshme e sigurisë energjetike në kontinentin evropian, ose, do të thosha unë, edhe në shkallë më të gjerë globale”, tha para gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskovi tha gjithashtu se Kremlini nuk pajtohet me komentet në marrëveshje rreth kundërshtimit të agresionit rus dhe dyshimeve për veprime të paligjshme të Moskës në Ukrainë e në vende të tjera, shkruan Reuters