Shqipëri

Rusia e gatshme ta dërgojë vaksinën ‘Sputnik V’ në Shqipëri

Pas ankesës së Endri Fugës, drejtor i Zyrës së Komunikimit në Kryeministri, ndaj vendeve të fuqishme të cilat nuk lanë doza vaksine për vendet më pak të zhvilluara si Shqipëria, ka reaguar Ambasada Ruse në Shqipëri.

“Shpresojmë që mutacioni i ri nuk do ta bëjë Covid-19 rezistent ndaj vaksinës ekzistuese. Por është një kujtesë kundër egoizmit kombëtar. Vendet e fuqishme mund të blejnë të gjithë dozat e vaksinës pa lënë asgjë për pjesën tjetër, por ja që një mutacion i vogël mund ta bëjë të gjithë përpjekjen të padobishme. Vaksinimi universal është një domosdoshmëri,”- shkruante Fuga.

Rusia ka qënë një ndër vendet e para që kanë prodhuar vaksinën anti-COVID, të quajtur “Sputnik V”. Së fundmi Rusia ka marrë autorizimin për të negociuar me vendet të cilat janë të interesuara të sigurojnë vaksinën e tyre kundër koronavirusit.

Selia diplomatike në Tiranë thekson se është e gatshme për ta bërë diçka të tillë edhe me Shqipëri. Në një mesazh të drejtuar publikisht ndaj Endri Fugës, ambasada ruse ka shprehur vullnetin të sjellë vaksinën edhe në vendin tonë, pas ankesës së tij.

“I nderuar z. Endri Fuga, Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte (https://rdif.ru/Eng_Index/) është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri. Vaksinimi me “Sputnik-V” tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1,2 miliard dozë të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasime me një serë vaksinash të tjera,”- thuhet në reagimin e ambasadës.

Deri më tani i vetmi vend në rajon që ka porositur vaksina “Sputnik V” nga Rusia është Serbia, ndërsa qeveria nuk ka dhënë edhe një përgjigje zyrtare lidhur me propozimin. Ndërkohë gjithashtu nuk ka siguruar as edhe një vaksinë tjetër nga vendet e tjera që kanë prodhuar ‘mjekimin anti-COVID’. Deri më tani kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po negocion me disa kompani dhe shtete për ndihmë por nuk ka ende një datë zyrtare për mbërritjen e vaksinës në Shqipëri, përveç afatit; ‘dy muajt e parë të 2021’.