Kosovë

Rugova i reagon Mjekiqit: Përgjigjiet për rënien e LDK-së duhet të kërkohen tek tre nënkryetarët aktual

Ish-deputeti dhe anëtari i LDK-së, Naser Rugova i ka reaguar nënkryetares së këtij subjekti politik, e cila ia adresoi arsyen e rënies kryesisë së vjetër.

Rugova, me anë të ‘Facebook’-ut, i ka reaguar nënkryetares Mjekiqi, e cila gjatë ditës tha se rënien e kësaj partie e shkaktoi mungesa e komunikimit me elektoratit, si dhe përfshirja në koalicione qeveritare, shkruan Gazeta Express.

“Nënkryetarja e re, znj. Mjekiqi paska thënë që LDK e paska filluar rënien para disa vitesh, atëherë kur ka nisur koalicionet joparimore dhe për shkak se ndër vite e ka humbur komunikimin me bazën. EUREKA! Zbulim i madh!”, ka shkruar ish-anëtari i kryesisë së LDK’së.

“Nejse, këto gjëra ne ka vite i themi, aty nuk ka asgjë të re, por znj.Mjekiqi përgjigjet duhet t’i kërkojë te tre nënkryetarët dhe te sekretari i pergjithshem, njerëzit më të fuqishëm të partisë përgjatë dekadës së fundit”, ka deklaruar tutje ai.

Nënkryetarja aktuale e LDK’së ka thënë për Ekonomia Online se qëndrimi në koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike të Kosovës që të reflektojë për problemet e brendshme.

“Gjithashtu në disa raste kemi qenë pjesë e koalicioneve të ndryshme qeveritare pa qenë partia e parë në pushtet. Për shkak të sistemit zgjedhor që ka Kosova çdoherë me përjashtime kërkohet që qeveria të jetë e koalicioneve, por qëndrimi në koalicionet e mëhershme nuk i kanë dhënë kohë dhe hapësirë Lidhjes Demokratike që të reflektojë për këto probleme të ndryshme të brendshme që i ka pasur përfshi edhe komunikimin, sepse ndoshta nuk e ka parë të nevojshme. Ndërkaq tani kur jemi në opozitë kemi më tepër kohë për të reflektuar, analizuar cilat kanë qenë problemet tjera sepse ka edhe të tjera dhe për ta rikthyer LDK-në në një afat të gjatë por me shumë vendosshmëri”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.

Kritika ndaj kryesisë së re të LDK’së Rugova ka pasur që nga fillimi i saj. Pas zgjedhjeve të brendshme të mbajtura të 14 marsit, në të cilat Lumir Abdixhiku u shpall kryetar i partisë, Rugova pati hedhur akuza, duke e konsideruar “reciklim të partisë Ora”.

“Kryesi më të dobët, LDK nuk ka pasur kurrë. Reciklim i partisë ORA, distancim nga Presidenti Rugova, tentim transformim i partisë në servis të RINVEST-it”, pati shkruar ai.