Sport

“Ruajmë 70% të grupit”, trajneri i ekipit të Kategorisë së Parë i hap sfidë vetes: Kapim elitën për ditëlindje

Klodian Arbëri e ka më të qartë planin për s

Klodian Arbëri e ka më të qartë planin për sezonin 2022-2023. Tani që kanë kaluar disa ditë nga konfirmimi në stol, trajneri mund të flasë për objektivat dhe merkaton.



Synimi është më i qartë se kurrë: ngjitja në elitë për 100- vjetorin e klubit. Trajneri e di që do të jetë garë e fortë, por nuk trembet dhe është gati që ta ndërmarrë këtë sfidë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, zbulon se sheh 4 skuadra si rivale në këtë mision dhe në të njëjtën kohë sqaron se do të ruajë gati 70% të grupit të vjetshëm.

“Menjëherë pas emërimit, i jemi përveshur punës. Bashkë me zëvendësim, po projektojmë ekipin për kampionatin që starton më 3 shtator. Rindërtimi i Tomorit e ka bazën. Konfirmoj se do të ruaj 70% të grupit që mbylli sezonin e kaluar. Çdokush që është treguar profesionist, e ka derën të hapur në Berat. Do i jap prioritet çdo futbollisti që ka lënë gjurmë në skuadrën që unë drejtova nga janari e në vazhdim. Nuk do të lëmë pas dore as merkaton dhe mendoj se nuk do të vuajmë për të shtuar cilësinë. Gjatë kësaj kohe më kanë kontaktuar një mori lojtarësh që kanë lënë shenjë në elitë apo edhe Kategorinë e Parë. Kjo do ma bëjë shumë më të lehtë gjithçka, për të ndërtuar një ekip pretendent”, ishin fjalët e para të Arbërit.

Më pas ai shtoi: “Nuk mund t’i fshihem përgjegjësisë, ndaj do flas hapur për objektivat. Të gjithë duan ngjitjen për ditëlindjen shekullore dhe ne do bëjmë çmos që në fund t’ia dalim. Nuk do të jetë e lehtë, pasi pa frikë mund të themi se janë 4 skuadra që mund t’i quajmë rivale. Por, dua të siguroj se Tomori im nuk do të trembet aspak nga emrat e kundërshtarëve. Historia jonë shekullore është po kaq e madhe dhe e rëndësishme sa edhe e rivalëve tanë”, ka përfunduar tekniku i Tomorit./ EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL