Kosovë

Rrëfimi për objektin rrufepritës në Gollak që sot nuk funksionon më

Dikur shërbente për shpërndarjen e reve e tani si atraksion turistik. Bëhet fjalë për “Topin” e Koliqit, një objekt rrufepritës, nga i cili janë goditur retë gjatë muajit korrik në mënyrë që shiu në mos shkaktonte dëme bujqësore. Tani ky objekt është privatizuar nga shteti dhe është jashtë funksionit. Por, janë qytetarët ata që e vizitojnë për të bërë fotografi që paraqesin panoramën e bukur të Malësisë së Gollakut

Nga objekti rrufepritës, që është i pozicionuar në fshatin Koliq të rajonit të Gollakut, 24 km në veriperëndim të Prishtinës, për 10 vite rresht janë goditur rrufetë me raketa në mënyrë që të mbroheshin të mbjellurat e bujqve.

Fahri Bici, banor i këtij fshati ka treguar për Express për punën që është bërë në këtë objekt gjatë vitit 1990-2000.

Fotografi e realizuar nga “Topi” i Koliqit

Ai ka thënë se vetëm gjatë sezonës së verës në këtë objekt kanë qenë të punësuar 30 punëtorë që kanë vëzhguar me radar se kur ka rrezik që të bie breshër.

“Objekti rrufepritës që tash e quajnë ‘Topi” ka shërbyer për shpërndarjen e reve, kur është vërejtur nga radari se mund të ketë të reshura të mëdha të shiut të përcjellura me breshëri. Kështu raketat i kanë goditur ato dhe breshëri është kthyer në pika shiu. Gjatë sezonës së verës kanë qenë të punësuar 30 punëtorë  dhe 4 roje”, ka thënë ai.

Fotografi e vjetër e objektit rrufepritës

E rrezik për ta kryer këtë punë sipas tij nuk ka pasur. Kjo pasi që në objektin rrufepritës që ishte i lartë mbi 20 metra kanë qenë të vendosura vetëm mjetet teksa puna është kryer jashtë objektit.

“Punëtorët nuk kanë qenë të rrezikuar sepse në objektin me lartësi të madhe kanë qenë të vendosura vetëm disa antena që kanë shërbyer për marrjen e valëve që të duken më qartë retë. Objekti i ka pasur edhe dy pika të tjera për gjuajtjen e reve. Njëra ka qenë në fshatin Koliq dhe tjetra në fshatin Gërdoc të Podujevës”, ka thënë më tutje ai për Express.

Hapësira ku kanë qenë të vendosura satelitët dhe antenat që kanë identifikuar breshërin

Për shkak të shpërnguljes së banorëve në kryeqytet, në fshat  kanë mbetur shumë pak persona që dinë për punën që është bërë në këtë objekt. Fahri Bici rrëfen se si para se të punësoheshin për ta kryer punën e rrufepritësit, ata kanë mbajtur një kurs.

“Së pari punëtorët janë dërguar në kurs për tu mësuar me i ndez raketat dhe pastaj e kanë filluar punën”, ka rrëfyer ai.

Punëtorët të kujdesshëm kanë qenë edhe ndaj aeroplanëve. Kjo për shkak që fuqia e raketave ka qenë shumë e madhe.

 Bici tha për Express, se përmes radarëve kanë shikuar edhe nëse afër ka ndonjë aeroplan në mënyrë që mos ti godasin ata.

Bici tregon se gjatë luftës banorët nuk kanë guxuar që të afrohen afër tij për shkak të NATO’s.

“Gjatë luftës nuk jemi afruar afër tij. Ka qenë cak ushtarak dhe në çdo kohë i rrezikuar nga sulmet e NATO’s”, ka thënë më tutje ai.

E si ky objekt në Kosovë gjendet edhe një në fshatin Golesh.

Rrëfimin për historinë e “Topit” të Koliqit, Bici e përfundon me thirrjen që qytetarët të kenë kujdes kur ta vizitojnë këtë vend. Kjo për shkak që sipas tij ky vend mbushet edhe me mbeturina që i hedhin qytetarët.