24 orë+ Lajme

Rrëfimi i Rasim Selmanajt si i mbijetuar i “Masakrës në burgun e Dubravës”: Isha i mbuluar nga trupat e vrarë

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, i ftuar në emisionin “PA MASKË” ka rrëfyer edhe për tmerrin e përjetuar në atë që njihet si “Masakra në burgun e Dubravës”. Ai ka rrëfyer edhe për veprimtarinë e tij dhe ka treguar se ka herë me parë ka qenë i burgosur politik, ndërsa herën e parë kishte qenë vetëm 17 vjeç.

Selmanaj ka deklaruar se herën e fundit kur u burgos, në vitin 1998 ishte dënuar me 6 vite burg, ndërsa kishte mbajtur 3 vite në burgje të ndryshme të Serbisë ngaqë më pas ishin liruar me amnisti.

Si i mbijetuar i masakrës në burgun  e Dubravës, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj ka rrëfyer disa pjesë të kujtimeve të asaj dite.

“Po unë kam qenë në shumë burgje. Me thënë të vërtetën kanë qenë muaj dhe vite të vështira. Kam qenë një kohë bukur të gjatë në burgun e Pejës, mandej në burgun e Nishit, në Mitrovicë të Sremit, në Beograd, në Leskovc dhe kështu me radhë. Do të thotë na ka ra në shumë burgje. Edhe në momentin kur ka ndodh masakra në burgun e Dubravës, kam qenë në atë burg”, ka rrëfyer Selmanaj, njofton 24-ore.info

 “Para se të sjelli momentin se kur ka ndodhur ajo masakër, me 22 maj, dëshiroj të them se ne kemi qenë nëpër burgje të Serbisë. Dhe, pushteti serb duke përgatitur një skenar me vetëdije na merr neve të gjithëve nëpër ato burgje dhe na bashkon në Dubravë. Edhe arsyeja ishte që të ndodh ai skenar i cili ndodhi sepse burgu i Dubravës në atë kohë ka qenë me pozicione ushtarake serbe dhe ata e kanë ditur se do të bombardohet burgu i Dubravës. Mirëpo, ata kanë dashur që aty me i sjellë 1.000 të burgosur për të ndodhur ajo që ndodhi… “, ka deklaruar Selmanaj, i cili ka theksuar se ky ishte një plan i menduar mirë i regjimit serb të asaj kohe.

“Po kthena te dita kur ndodhi masakra, ato bombardimet tre ditë ka pasur disa vrasje, por jo shumë. Ka qenë magjes i datës 22 maj, ditë e shtune (1999)… me të aguar mëngjesi del një gardian në karaullë dhe na fton neve me u bashku me arsyetimin se nuk ka kushte këtu dhe me ju transferu nëpër burgje tjera. Ne nuk besonim në atë që ai po na ftonte, por megjithatë ne filluam të rreshtohemi dhe të bashkohemi. Kur jemi bashkuar, gjatë gjithë natës prapa murit të burgut ata e kishin përgatitur atë skenarë që do të ndodhte pak minuta më vonë. Më kujtohet që ka qenë një vrimë në muri, i kam pa lëvizjet e policëve, paramilitarëve serb… kur e kemi vërejt këtë kemi thënë: Shokë, bashkohuni dhe largohuni se na shkatërruan… vërejtëm lëvizjet e tyre. Më pas filluan me gjithë arsenalin që kanë pasur të na gjuajnë. Gjuanin nga vrima dhe nga karaulla. Por, edhe përtej murit hedhin bomba dhe arsenal që i kanë pasur. Dhe, në momentin kur të gjithë ato armë kanë plasur në drejtimin tonë, unë jam shtrirë. Ishte një gjendje e tmerrshme, më kujtohet se më rridhte gjak. Nuk isha i sigurtë nëse më ka goditur ndonjë plumb dhe fillova pak t’i provojë këmbët se e di që thoshin përpara që në atë të nxehtë nuk e ndjen as plumbin. Mirëpo, fati ishte se unë nuk kisha ndonjë plagë të rëndë, por përskaj meje isha në fakt i mbuluar edhe me të vdekur. Për disa minuta edhe unë kam qëndruar i shtrirë me përshtypjen se edhe unë jam i vrarë sepse kishte në vazhdimësi të shtëna. Në afërsi kisha ndokënd që kalonte çaste e fundit të jetës nga plagët por që askush nuk kishte mundësi në ato momente t’i ndihmonte. Ndërkohë, e kam lëvizur pak kokën që të shoh se çfarë po ndodhte përpara dhe pashë se disa nga shokët vraponin. Por, nëse ishin ngritur 10 për të vrapuar, 3 ose 4 prej tyre binin sepse me snajper i godisnin dhe i vrisnin. Pas disa minutash, nuk e di saktë sa, të njëjtin veprim e bëra edhe unë dhe kam vrapuar diku 100 – 150 metra dhe pastaj ishte njëfarë rënie aty, njëfarë bregu që nga pozicionin prej nga gjuanin ata nuk mund të të godisnin. Dhe, gjatë vrapimit sigurisht se kishte shkreptima të plumbave, nuk më goditi asnjë plumb dhe rashë aty. Na gjuanin nga distanca 50 ose 100 metra, jo më larg sepse ne kemi qenë shumë afër murit”, ka rrëfyer momentit kritike deputeti Rasim Selmanaj, sipas të cilit të shpëtosh në ato rrethana pa u vrarë është fat i njëjtë sikur të “rrëzohet aeroplani dhe të shpëtosh”!

Tutje Selmanaj ka thënë se nga kjo masakër e planifikuar nga regjimi serb u vranë 150 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. Ai ka shprehur shqetësimin se kriminelët e masakrave dihen me emër dhe mbiermër dhe se të mbijetuarit kanë dëshmuar, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur vullnet nga bashkësia ndërkombëtare që ata ta marrin dënimin e merituar./24-ore.info