Lajme

Reshitaj: Pjesë e ekipit negociues për dialogun Kosovë-Serbi, duhet të jetë edhe opozita

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, thotë se pjesë e ekipit negociues për dialogun Kosovë-Serbi, duhet të jetë edhe opozita, transmeton Insajderi.

Sipas saj, Qeveria duhet të marrë me konstruktivitet përvojën e të gjithë atyre politikanëve, të cilët në të kaluarën kanë qenë pjesë e dialogut, në mënyrë që bashkërisht të përmbyllin këtë çështje.

“Normalisht për shkak të presioneve politike dhe agjendave politike edhe dialogu është nga çështjet që duhet të vazhdojë dhe të zgjidhet sa më parë. Unë dua të besoj se jo vetëm AAK-ja por edhe të gjitha partitë opozitare do të duhet të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë ajo pët EO.

“Unë dua të besoj që edhe Qeveria do të marrë me konstruktivitet përvojën e gjithë atyre politikanëve të cilët kanë qenë në të kaluarën pjesë e dialogut dhe bashkërisht do të japim më të mirën që ta përmbyllim këtë çështje njëherë e përgjithmonë”, ka shtuar Reshitaj.

Deputetja e AAK-së më tej ka komentuar edhe për menaxhimin e pandemisë, për çka thotë se është betejë e përbashkët e të gjitha partive politike.

Siç shprehet ajo, prioritet kryesor i Qeverisë duhet të jetë sigurimi i vaksinave, duke shtuar se duhet një plan veprues konkret nga ministri i shëndetësisë Arben Vitia për të dalë nga kjo situate.

“Menaxhimi i pandemisë është betejë e jona e përbashkët e të gjithëve prandaj konsiderojë që janë dy çështje të rëndësishme që ne duhet t’i shohim mos politizimin e menaxhimit të pandemisë nga të gjithë krerët politik një fokusim i madh i qeverisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë”.

“Nuk ka prioritet më të madh këto ditë sesa menaxhimi i pandemisë, por edhe sigurimi i vaksinave për të gjithë qytetarët e vendit që kanë nevojë të vaksinohen. Prandaj konsiderojë se sikurse Qeveria ashtu edhe ministria e Shëndetësisë duhet të fokusohen në sigurimin e vaksinave në planin veprues sesi si do të menaxhohet dhënia e vaksinave”.

Sipas saj, për vaksinimin masiv të popullatës duhet të angazhohet një ekip i veçantë i mjekëve dhe duhet të ketë një plan konkret nga institucionet përgjegjëse.

“Nevojiten ekipe të veçanta të mjekëve, ekipet mobile që duhet të përgatiten edhe në raste ku duhet të vaksinohen individë të cilët janë me aftësi të kufizuara apo të moshuar. Një plan veprues konkret nga ministria e Shëndetësisë do të duhet të bëhet sa më shpejt unë pres reflektim nga ministri i shëndetësisë Arben Vitia për zgjedhjen sa më shpejt të kësaj situate”, shtoi Reshitaj. /Insajderi.com