Lajme

Rastet me COVID-19 në shkolla, sa mësmimdhënës e nxënës janë infektuar deri tash

Infektimi i disa mësimdhënësve dhe nxënësve me COVID-19, ka bërë që disa shkolla në vend t’i rikthehen mësimit online. Raste të tilla janë regjistruar në Pejë, Suharekë, Dragash, Malishevë dhe Podujevë, ku deri tash janë testuar mbi 300 mësues dhe nxënës. Për rezultatet e këtyre testimeve kanë folur drejtorët për arsim nëpër këto komuna.

Drejtori për Arsim në Pejë, Besim Avdimetaj ka thënë se në shkollat e këtij qyteti deri tash janë kryer rreth 150 testime.

Raste pozitive te nxënësit nuk ka pasur, derisa tek mësimdhënësit thotë se janë konfirmuar nëntë raste.

“Në raundin e parë janë testuar 143 mësimdhënës dhe prej tyre gjashtë kanë dal pozitivë, por q tash janë kthyer në punë sepse janë shëruar. Ndërsa, në raundin e dytë kanë dal pozitivë dy pastrues, një sekretar dhe tre mësimdhënës. Mësimdhënësit janë duke u zëvendësuar nga kolegët e tyre. Tek nxënësit nuk e kemi të konfirmuar asnjë rast”, ka thënë Avdimetaj.

Për dallim prej Pejës, ku nuk është infektuar asnjë nxënës, në Komunën e Podujevës janë infektuar tre.

Agim Blakçori, drejtor për shëndetësi, thotë se në shkollat e kësaj komune kanë rezultuar pozitivë një drejtor i një shkolle, një mësimdhëns dhe tre nxënës.

“Në Komunën e Podujevës jane testuar 61 mesimdhënës, prej tyre një ka rezultuar pozitiv. Ky rast ka qenë ende pa filluar mesimi. Asnjë shkollë nuk është mbyllur për shkak të rasteve me COVID-19. Mësuesi që ka rezultuar pozitiv, është duke u zëvendësuar nga kolegu i tij. Edhe një drejtor shkolle ka rezultuar pozitiv me Covid, por tash është i shëruar. Me dt. 30/09/2020, kemi marrë rezultatin e testit për COVID të 11 nxenësve, ku 3 prej tyre kanë rezultuar pozitiv. Nxënësit që kanë rezultuar pozitivë, janë raste kontakti në familjet e tyre dhe nuk kanë qenë duke vijuar mësimin në shkollë qe dy jave”, ka deklaruar Blakçori.

Raste pozitive te nxënësit janë konfirmuar edhe në shkollat e Drenasit.

Drejtori për Arsim atje, Muhamet Gjoka, ka thënë se aktualisht janë pesë nxënës të infektuar.

Shkaku i këtyre rasteve, mësimi ka vazhduar online.

 “I kemi të infektuar pesë nxënës dhe gjashtë mësimdhënës. Numri total i testimeve është 34. Nuk kemi pas mbyllje të shkollave, por një klasë është izolu dhe nxënësit e kanë vazhduar mësimin online”, ka deklaruar Gjoka.

COVID-19 ka depërtuar edhe në shkollat e  Suharekës. Atje deri tash janë testuar 40 mësimdhënës, prej të cilëve pozitivë kanë dal katër. Ndërkohë, te nxënësit nuk është konfirmuar asnjë rast.

“Tek ne janë testu 40 mësimdhënës. Aktualisht janë katër mësimdhënës që kanë dal pozitivë. Te nxënësit nuk kemi asnjë rast. Një është dyshuar, por dy herë ka dal negativë. Asnjë shkollë nuk është mbyllë. Mësuesit që kanë dal pozitivë janë në shtëpi, dhe po zëvendësohen nga kolegët”, ka thënë Drejtori për Arsim, Remzi Bajselmani.

Testime janë kryer edhe në shkollat e Malishevës. Në shkollat e kësaj komune, aktualisht është vetëm një mësues i infektuar.

Janë testuar 28, prej të cilëve një ka dal me COVID-19, por që është shëruar. Më pas janë testuar edhe pesë mësimdhënës, por që vetëm një ka dal pozitivë dhe ky është rasti i vetëm aktiv. Në total janë kryer 33 testime. Raste të mbylljes së shkollave nuk ka pasur në Malishevë”, ka thënë Blerim Thaçi, i cili udhëheq me Drejtorinë për Arsim.

Ndërkohë, në Dragash, komunë në të cilën nuk është regjistruar asnjë rast i ri qe dy javë, që nga fillimi i vitit shkollor vetëm një mësimdhënës është infektuar, derisa raste te nxënësit nuk ka.

Por, që sipas Drejtorit për Arsim, Vloran Cenajt, edhe ai është shëruar.

 “Ka më shumë se 14 ditë që në Dragash s’ka asnjë rast të infektuar. Ne i kemi testuar diku 16 mësimdhënës para se me fillu viti shkollor dhe vetëm një ka dal pozitiv, por edhe ai tashmë është shëruar dhe është kthyer në shkollë. Ndërkohë, te nxënësit nuk e kemi asnjë rast të raportuar”, ka deklaruar Cenaj.

Ndryshe, për situatën me COVID-19 nëpër shkolla ka folur sot edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Likaj.

Sipas tij, situata është nën kontroll, ani pse ka pasur raste pozitive me koronavirus, si në mesin e mësimdhënësve ashtu edhe të nxënësve, në disa shkolla.

Ai tha se në ato shkolla ku ka pasur raste pozitive e kanë vazhduar mësimin online, derisa theksoi se nuk presin rritje të rasteve me COVID brenda shkollave.

“Ka disa raste ku janë diagnostikuar edhe mësimdhënësit edhe nxënësit nga IKSHPK, natyrisht ne i kemi skenarët e përgatitur dhe varësisht prej situatës që ka qenë me pandeminë janë rekomanduar edhe skenarët, disa prej shkollave kanë kaluar në mësimin online për 14 ditë. Gjendja e tyre është duke u vëzhguar nga stafi mjekësor i komunave përkatëse, njëkohësisht edhe IKSHPK është vazhdimisht duke e observuar dhe gjithçka momentalisht është nën kontroll”, ka thënë Likaj.