24 orë+ Lajme

Rasim Selmanaj: Nëse nuk arrihet marrëveshje për presidentin, vendi shkon në zgjedhje, Haradinaj është i padiskutueshëm

“Kemi ardhur në një moment kur duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës dhe të shohim a do të kemi marrëveshje rreth presidentit… Ne do të bëjmë përpjekje që të kemi (marrëveshje). Ne kemi propozimin dhe qëndrimin tonë, tash mbetet të shihet se si do të reflektojë partneri, në këtë rast LDK-ja, por edhe partitë e tjera politike. Nëse nuk arrihet marrëveshje dhe nëse nuk zgjidhet presidenti, atëherë dihet, vendi shkon në zgjedhje”, ka deklaruar në emisionin “PA MASKË” deputeti i AAK-së, Ramiz Selmanaj, njofton 24-ore.info

Sipas tij, qëndrimi i prerë i AAK-së është që Ramush Haradinaj e meriton dhe duhet të jetë president dhe se nëse nuk ka marrëveshje për presidentin, me automatizëm vendi shkon në zgjedhje.

Ai është shprehur se partitë e tjera në këtë periudhë të negociatave mund të shprehen më të rezervuara, por ka deklaruar se kandidatura e Ramush Haradinajt në krye të shtetit është më e qëlluara.

“Unë ende dua të besoj se partitë politike do të bëjnë një marrëveshje që Ramush Haradinaj të jetë president”, ka deklaruar ai i cili ka përsëritur qëndrimin se AAK nuk lëviz nga ky qëndrim dhe se nuk do ta përkrahte një kandidaturë tjetër.

“Në raport me Serbinë dhe në raport me të gjithë të tjerët që nuk ia duan të mirën Kosovës, mendoj që Ramushi në këtë rast është i padiskutueshëm dhe i pazëvendësueshëm për mu përballë me tema që në fakt e presin në tavolinë Kosovën”, ka deklaruar deputeti Rasim Selmanaj./24-ore.info