24 orë+ Lajme

Rasim Selmanaj: Në familjen time jetojmë nga paga ime, të tjerët janë të papunë, në ambasada duhet të punësohen profesionistët, jo partiakët

I ftuar në emisionin “PA MASKË” deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj është pyetur edhe lidhur me punësimet në misionet diplomatike në Kosovë. Sipas tij, në ambasada duhet të punësohen profesionistët dhe jo partiakët, ndërsa ka rrëfyer edhe se në familjen e tij anëtarët e familjes janë të papunë dhe se jetojnë me të ardhurat që ai i merr nga paga si deputet, njofton 24-ore.info

“Familja ime, unë kam bashkëshorten, tre fëmijë, nusen e djalit. Të gjithë janë të papunësuar. Kam brenda familjes edhe që kanë të kryer fakultet por unë jam deputet dhe normal që jetojmë prej kësaj page”, ka deklaruar Selmanaj.

I pyetur lidhur me publikimin e listave të njerëzve partiakë të punësuar nëpër ambasada, Selmanaj ka deklaruar se kjo është një praktikë e gabuar e cila duhet të ndërpritet.

“Nëse flasim për këtë fenomen, ky nuk është fenomen i mirë dhe kjo duhet të eliminohet të jem i sinqertë dhe autokritik, por nëse e marrim me statistika del se AAK ka më së paku njerëz në këto pozita. Por, kjo nuk është arsyetim. Mendoj se njerëzit në ambasada dhe konsulata duhet të jenë profesionistë dhe të mos jenë të partive politike”, ka deklaruar deputeti Rasim Selmanaj, i cili ka shprehur bindjen se ministrja e punëve të jashtme nga radhët e AAK-së do ta ketë parasysh edhe ndalimin e kësaj praktike.

Ai është shprehur i bindur se në rast të zgjedhjes së Ramush Haradinajt në krye të presidencës, do të krijohej një vetëdije e re si nevojë e domosdoshme që të mos vazhdojnë praktikat e punësimeve partiake ose të nepotizmit./24-ore.info