24 orë+ Lajme

Rasim Selmanaj: Kosova nuk ka humbur territor, çështja e kufirit me Malin e Zi mbetet e hapur

I ftuar në emisionin “PA MASKË”, deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj ka shprehur qëndrimin se Kosova nuk ka humbur territor në procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sipas tij, edhe ligjërisht kjo çështje mbetet e hapur dhe se është në kompetencë të kryeministrit që t’i obligojë komisionet të dalin në terren për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, njofton 24-ore.info

“Kjo është e pavërtetë e madhe dhe e shoh që mundohen me e goditë Ramushin dhe Aleancën sa i përket demarkacionit. Kur Ramushi është bërë kryeministër, marrëveshja ka qenë e nënshkruar. Mirëpo, që nga ai moment dhe deri kur ka ardhur në Parlament, Ramushi ka bërë përpjekje që me e ndryshu dhe mendoj se e ka arrit me faktin se ne në Parlament nuk e kemi votuar marrëveshjen e z. Meha, por e kemi votuar një ligj të ri. Dmth, përveç Nenit 1 që është marrëveshja e Mehës, janë edhe dy nene të tjera, janë të gjeturat e Shpejtim Bulliqit dhe deklarata e dy presidentëve”, ka deklaruar Selmanaj i bindur se Kosova nuk ka humbur territor në raport me Malin e zi ngaqë kjo çështje, sipas tij, mbetet e hapur dhe tani më është e rregulluar edhe ligjërisht dhe se kufiri duhet të precizohet në drejtim të Kullës dhe Çakorrit.

Ai ka ritheksuar faktin se LDK insistonte që raporti i Bulliqit mos të jetë pjesë e ligjit, mirëpo AAK nuk ka pranuar një gjë të tillë.

“Nuk mund të flas për afate kohore, por për obligime ligjore. Në bazë të ligjit që e ka votuar Kosova, janë të detyruar që ta bëjnë korrigjimin në drejtim të Kullës dhe Çakorrit”, ka deklaruar Selmanaj. Sipas tij, është çështje dhe kompetencë e kryeministrit se kur do të dilnin komisionet në terren ngaqë baza ligjore ekziston./24-ore.info