Bota

Raportohet se Trumpi s’po ia jep rrogën marramendëse avokatit personal

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, raportohet se i ka urdhëruar ndihmësit që të mos ia paguajnë të hollat për punët ligjore avokatit të tij personal, Rudy Giuliani.

Dy zyrtarë i thanë gazetës Washington Post se Trumpi është i zhgënjyer me disa nga veprimet ligjore të Giulianit gjatë sfidimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe nuk është bindur që ta paguajë avokatin nga 20.000 dollarë në ditë, shkruan Daily Mail.

Ky lajm vjen në kohën kur raportohet se Trumpi po izolohet gjithnjë e më shumë në ditët përfundimtare të mandatit si president dhe ai po i sulmon edhe anëtarët besnikë të rrethit të tij të brendshëm.

Duke mos pasur mundësi që ta shprehë pakënaqësinë në Twitter, njerëzit e afërm thonë se ai është i zemëruar që aleatët e tij nuk po e mbrojnë publikisht.

Ndryshe, mandati i Trumpit përfundon zyrtarisht më 20 janar, kur presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të inaugurohet si shef i ri i Shtëpisë së Bardhë.